Mbaron mbledhja! Bylykbashi: Mbledhja e djeshme Show. Çdo ndryshim që lidhet me zgjedhjet duhet të kalojë nëpërmjet Këshillit Politik

23/07/2020 18:25

Ka mbaruar mbledhja e Këshillit Politik që kishte nisur prej orës 17:30 pas dakordësisë së palëve për t’u ulur në tryezë për paketën e ligjeve që janë dakordësuar më parë por që kërkojnë miratim.

Pjesë e mbledhjes së Këshillit Politik ishte edhe përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane Ian Crawford.

Crawford, shef i sektorit politik dhe ekonomik në ambasadën amerkane ka qenë i pranishëm edhe dje në mbledhjen e Këshillit Politik ku mungonte opozita parlamentare.

Ndërkohë mësohet se përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi ka thënë takim se çdo ndryshim që lidhet me zgjedhjet duhet të kalojë në Këshillin Politik:

“Opozita dënon show e ditës së djeshme, ku u zhvillua një mbledhje, në shkelje të rregullave të funksionimit të Këshillit Politik, që u tentua të mblidhej pa konsensus dhe pa praninë tonë. Opozita kishte konfirmuar që nuk merrte dot dje pjesë në mbledhjen dhe kishte propozuar dy opsione për mbledhjen e Këshillit (sot dhe nesër). Dje nuk kishte një mbledhje të Këshillit Politik, sa kohë ne nuk kishim dakordësur për zhvillimin e mbledhjes dhe kishim konfirmuar që nuk mund të ishim.

Opozita i qëndron marrëveshjes së 14 Janarit dhe të 5 Qershorit. Çdo ndryshim që lidhet me zgjedhjet duhet të kalojë nëpërmjet Këshillit Politik, me konsensus, transparencë dhe gjithëpërfshirje. Për çdo ndryshim lidhur me zgjedhjet e domosdoshme ekspertiza e OSBE-ODIHR. Asnjë ndryshim nuk duhet të jetë në kundërshtim me standardet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias”.

Top Channel