Koronavirusi/ Asambleja e OKB-së, liderët do të dërgojnë video

23/07/2020 20:47

Udhëheqësit botërorë do të dërgojnë video dhe nuk do të mblidhen në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Asambleja 193-anëtarëshe tha se liderët botërorë do të dërgojnë video, në vend se të mblidhen fizikisht në Nju Jork.

“Secili shtet anëtar, shtet vëzhgues dhe Bashkimi Evropian mund të dorëzojë një deklaratë të incizuar të presidentit të tij, nënpresidentit, princit ose princeshës së kurorës, kreut të qeverisë, ministrit ose zëvendësministrit, e cila do të lëshohet në sallën e Asamblesë së Përgjithshme, pasi të prezantohet nga përfaqësuesi, i cili është fizikisht i pranishëm“, thuhet në vendimin e Asamblesë.

Për shkak të kufizimeve në udhëtim dhe rrezikut të përhapjes së koronavirusit në tubime, presidenti i Asamblesë së Përgjithshme, Tijjani Muhammad-Bande, u shkroi letër shteteve, duke i inkurajuar që “t’i zhvendosin të gjitha ngjarjet anësore në platforma virtuale, për të kufizuar numrin e njerëzve në ndërtesën e OKB-së”.

Qindra ngjarje mbahen zakonisht në margjina të debatit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Koronavirusi ka prekur tashmë mbi 15.1 milionë njerëz në gjithë botën.

Prej tyre, mbi 619,000 kanë vdekur, ndërsa mbi 8.5 milionë janë shëruar. Qyteti i Nju Jorkut ka qenë dikur epiqendër e pandemisë, por numri i rasteve atje ka rënë ndjeshëm, ndërsa vazhdon të rritet në jug dhe perëndim të SHBA-së.

Top Channel