Kalifornia tejkalon New Yorkun për nga numri i rasteve me COVID-19

23/07/2020 17:01

Shteti federal në SHBA, Kalifornia të mërkurën tejkaloi New York-un për nga numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19), duke arritur në 409.598, tregojnë të dhënat e Universitetit “Johns Hopkins”.

Që nga e mërkura, Kalifornia tani ka rreth 700 raste më shumë sesa New York-u.

Megjithatë, me 32.526 vdekje të konfirmuara, New York-u ka ende numrin më të madh të vdekjeve në vend dhe katër herë më shumë se 7.890 vdekje të raportuara në Kaliforni.

Shkalla e infeksioneve të konfirmuara në New York me rreth 2.100 në 100 mijë banorë është dyfishi i nivelit të Kalifornisë. Me afro 40 milionë banorë, Kalifornia është shteti më i populluar në SHBA. New York-u ka rreth 19.5 milionë banorë.

Kalifornia fillimisht në mars mbylli të gjitha bizneset thelbësore, siç janë dyqanet ushqimore, të cilat ngadalësuan përhapjen e virusit. Por, ndërsa shteti rihapi pjesën më të madhe të ekonomisë, përfshirë baret dhe restorantet përgjatë majit dhe qershorit, shkalla e infeksionit u rrit ndjeshëm në javët e fundit.

Nëse Kalifornia do të ishte një shtet, atëherë vendi do të kishte numrin e pestë më të madh të rasteve me COVID-19 në botë. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka thënë këtë javë se pandemia në vend ndoshta do të përkeqësohet para një përmirësimi. Kjo deklaratë duket e saktë në shumë shtete.

Florida raportoi 139 vdekje nga koronavirusi të mërkurën, shifra më e lartë që nga 16 korriku. Numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 është 379.619 me 5.345 vdekje. Teksasi ka regjistruar më shumë se 353 mijë raste dhe 4.270 vdekje.

Numri i të vdekurve në New Jersey nga koronavirusi u rrit në 15.707 të mërkurën, me 177.645 raste totale në më pak se pesë muaj. Zyrtarët shtetërorë njoftuan 1.598 raste të reja me COVID-19 në Illinois, rritja më e lartë ditore e raportuar në muaj. Në Illinois janë regjistruar 166.475 raste me koronavirus dhe 7.540 vdekje.

Në të gjithë SHBA-të më shumë se 3.9 milionë njerëz janë prekur nga COVID-19 dhe më shumë se 142 mijë njerëz kanë vdekur.

Top Channel