Gjermania, Ballkani/ Zgjatet leja për punëtorët emigrantë?

23/07/2020 14:44

Leja speciale për punëtorët emigrantë nga vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të zgjatet.

Sipas një projektligji të Ministrisë Federale të Punës e ashtuquajtura Rregullore për Ballkanin Perëndimor pritet të zgjatet deri në vitin 2023. Në këtë mënyrë qytetarët e Shqipërisë, të Bosnje-Hercegovinës, të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, të Serbisë dhe të Kosovës do të kenë të drejtën të shkojnë në Gjermani pavarësisht kualifikimit formal për punësim. Çdo vit nga ky ligj mund të përfitojnë deri në 25,000 vetë.

Qytetarët e këtyre vende kanë pasur të drejtë të merrnin vizë pune në Gjermani që nga janari i vitit 2016 – madje edhe pa njohuri të gjermanishtes dhe pa kualifikim profesional. Kusht është që aplikanti duhet të paraqesë kontratën e punës dhe miratimin nga Agjencia Federale e Punësimit, thotë DW. Sipas një studimi të Institutit për Tregun e Punës dhe Kërkimit Profesional 58 përqind e fuqisë punëtore nga Ballkani Perëndimor janë punësuar si specialistë ose ekspertë, kryesisht në industrinë e ndërtimit.

Top Channel