Ndërsa numri i rasteve me koronavirus në Shtetet e Bashkuara vazhdon të rritet dhe anketat tregojnë se shumica e amerikanëve nuk e miraton mënyrën se si po e menaxhon ai pandeminë, Presidenti Donald Trump rifilloi të martën konferencat e shtypit për koronavirusin dhe shprehu mbështetjen më të fortë deri sot për përdorimin e maskave.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara njofton:
Vetëm 65 për qind e të rriturve në Shtetet e Bashkuara thonë se vendosin maskë në dyqane apo vende të tjera publike, sipas organizatës së anketave Pew.
Pasi e kishte minimizuar prej muajsh rëndësinë e maskës, në fillim të javës, presidenti Trump publikoi në Twitter një fotografi të vetën me maskë, duke e quajtur mbajtjen e saj “patriotike”.
Të martën, Presidenti rifilloi konferencat e shtypit për koronavirusin dhe shprehu mbështetjen më të fortë deri sot për përdorimin e maskave.
“Ja ku e kam maskën, e mbaj me vete dhe e përdor me kënaqësi dhe e kam thënë një gjë të tillë. Dhe unë them që nëse mund ta përdorni, kur mund ta përdorni, nëse jeni pranë njëri-tjetrit në grup, unë do ta mbaja kur jam në një grup”, tha ai.
Në prill, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e ndryshoi udhëzimin për maskat, duke thënë se të gjithë amerikanët, jo vetëm punonjësit e mjekësisë, duhet t’i përdorin ato.
Por presidenti i kishte rezistuar mbajtjes së saj në publik deri në fillim të kësaj jave. Ai gjithashtu nuk ka pranuar që të ketë një urdhër kombëtar për maskën, duke thënë se do që njerëzit të kenë “liri”.
Një anketë e fundit nga ABC News dhe Washington Post tregon se 64 për qind e amerikanëve nuk e miratojnë menaxhimin e pandemisë nga ana e zotit Trump.
“Po shkakton më shumë probleme për të ndërsa pandemia përhapet, përfshirë në zona ku guvernatorët republikanë kanë ndjekur qëndrimet e tij, kanë hapur shtetet dhe tani po shohin shumë probleme me pandeminë. Kjo e vështirëson pozitën e tij”, thotë Norman Ornstein, studiues në Institutin American Enterprise.
Në Shtetet e Bashkuara, 140 mijë vetë kanë vdekur dhe 3.8 milionë vetë janë prekur nga COVID-19 dhe të dhënat e fundit lënë të kuptohet se numri i të infektuarve mund të jetë 10 herë më i lartë.
Megjithëse administrata këmbëngul se numri i rasteve është shtuar për shkak të rritjes së testimeve, ekspertët thonë se mungesa e një politike mbarëkombëtare për koronavirusin, është arsyeja që gjendja është e keqe.
“Vendet që kanë pasur rezultate të mira, kanë pasur një politikë të qartë kombëtare që ka në qendër shëndetin publik. Udhëheqja politike ka pasur mesazhe të qarta për popullsinë dhe publiku e kupton se cili është programi dhe bashkëpunon. Është një formulë për sukses. Ta lësh në dorë të guvernatorëve, është një formulë për kaos”, thotë William Schaffner, epidemiologjist në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt.
Pavarësisht nga rritja e rasteve, amerikanët vazhdojnë të shkojnë në vende pushimesh verore, si plazhet. Shtete të ndryshme kanë rregulla të ndryshme dhe rekomandimet e qeverisë federale për maskat, testimet dhe hapjen e ekonomisë kanë qenë të gjitha jo të detyrueshme.
Top Channel