Pompeo: SHBA-ja synon krijimin e një koalicioni global kundër Kinës

22/07/2020 05:29

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Uashingtoni po synon krijimin e një koalicioni ndërkombëtar për të kundërshtuar ndikimin e Kinës. Ai e akuzoi Pekinin se po shfrytëzon pandeminë e koronavirusit për të çuar më tej interesat e veta.

Pompeo i bëri deklaratat më 21 korrik në Londër pas takimit me kryeministrin britanik, Boris Johnson dhe Sekretarin e Jashtëm Dominic Raab. Tensionet midis Perëndimit dhe Kinës janë rritur për shkak të mungesën së transparencës nga ana e Pekinit në lidhje me shpërthimin e pandemisë, shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut, dhe akuzat e piraterisë në internet. Pompeo tha se çdo vend që “kupton vlerat e lirisë dhe demokracisë ” duhet të njohë kërcënimin që paraqet Kina.

“Shpresojmë se mund të krijojmë një koalicion që e kupton këtë”, tha ai. Marrëdhëniet e SHBA-së me Kinën, janë të tensionuara për një sërë çështjesh, duke përfshirë tregtinë, të drejtat e pronësisë intelektuale, teknologjinë 5G dhe të drejtat e njeriut. Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Kinën se e ka mashtruar botën në lidhje me pandeminë e koronavirusit.

Uashingtoni ka lobuar te aleatët, për të ndaluar përdorimin e teknologjisë 5G të kompanisë kineze Huawei, duke thënë se qeveria kineze mund ta përdorë atë për të spiunuar kombet perëndimore. Huawei mohon pretendimet. Pompeo vlerësoi lartë vendimin britanik për heqjen e teknologjisë së Huawei-it nga rrjeti i tij i telefonisë celulare 5G./REL

Top Channel