Kina paralajmëron Anglinë: Mos ndërhyni në punët tona

22/07/2020 02:20

Kina paralajmëroi Mbretërinë e Bashkuar se do të përballet me pasoja, nëse vazhdon “të ndjekë rrugën e gabuar” sa i përket Hong Kongut. Një ditë më parë, Londra pezulloi traktatin e ekstradimit me ish koloninë e saj për shkak të një ligji të ri të sigurisë atje i cili i jep Pekinit më shumë fuqi.

Në përgjigje të këtij veprimi, ambasadori kinez në Britani tha se kjo e fundit “ka ndërhyrë hapur” në punët e Kinës. “Kina asnjëherë nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të Mbretërisë së Bashkuar. Mbretëria e Bashkuar duhet ta bëjë të njëjtën gjë me Kinën”, deklaroi ambasadori Liu Xiaoming.

Përpara pak kohësh, kryeministri britanik, Boris Johnson, u zotua se do t’i ofrojë tre milionë banorëve të Hong Kongut mundësinë për t’u vendosur në Mbretërinë e Bashkuar, duke u lejuar atyre që të aplikojnë edhe për nënshtetësinë britanike. Kritikët thonë se ligji i ri i sigurisë në Hong Kong miratuar nga Pekini e që kriminalizon një sërë veprash, ligji mund të bëjë që protestuesit pro demokracisë në rajon të vuajnë dënime të përjetshme.

Hong Kongu ka qenë koloni e Mbretërisë së Bashkuar deri në vitin 1997, kur i është dorëzuar Kinës në bazë të parimit “një shtet, dy sisteme”.

Top Channel