“Filloi lufta”! SHBA urdhëron Kinën të mbyllë konsullatën në Houston!

22/07/2020 11:53

Shtetet e Bashkuara urdhëruan Kinën të mbyllë konsullatën e saj në Houston, një lëvizje kjo e përshkruar nga Pekini si “provokim politik” dhe nga Washingtoni si “përpjekje për të mbrojtur pronën intelektuale amerikane”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin tha se një lëvizje e tillë është “fyese dhe e pajustifikuar”, ndërsa paralajmëroi hakmarrje. Vendimi erdhi pas raporteve se mbrëmjen e një dite më parë, në oborrin e konsullatës janë parë persona duke djegur dokumente.

Por, zyrtari kinez tha se konsullata po funksiononte normalisht. Të martën, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, deklaroi se Uashingtoni po synon krijimin e një koalicioni ndërkombëtar për të kundërshtuar ndikimin e Kinës. Ai e akuzoi Pekinin se po shfrytëzon pandeminë e koronavirusit për të çuar më tej interesat e veta.

Marrëdhëniet e SHBA-së me Kinën, janë të tensionuara për një sërë çështjesh, duke përfshirë tregtinë, të drejtat e pronësisë intelektuale, teknologjinë 5G dhe të drejtat e njeriut.

Top Channel