Egjipti e Turqia pranë përplasjes direkte në Libi, pas shtimit të personelit dhe armatimeve

22/07/2020 19:54

Egjpti dhe Turqia duket janë në kurs përplasjeje në konfliktin e Libisë, teksa vendi rrezikon të kthehet në një Siri të dytë, si fushëbetejë e fuqive të mëdha në rajonin e trazuar.

Konflikti i drejtpërdrejtë i armatosur mes Egjiptit si aleat i SHBA, dhe Turqisë si anëtare e NATO-s, rrezikon të fusë të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut një valë dhune e destabiliteti që ka nisur që prej të ashtuquajturës “Pranvera Arabe”.

 

Dje parlamenti egjiptian aprovoi dislokimin e trupave ushtarake në Libi pasi presidenti Abdel-Fateh al-Sisi kishte kërcënuar me ndërhyrje në favor të liderit militant Khalifa Haftar, i cili drejton Forcat Arabe të Armatosura Libiane.

Me votën e tyre unanime deputetët egjiptianë argumentonin ndalimin e “grupeve terroriste të sponsorizuara nga jashtë” dhe “militantët e armatosur kriminalë,” raporton rrjeti Al Jazeera.

Në deklaratën e parlamentit nuk përmendej Turqia, e cila është rivali i ashpër rajonal i vendit dhe mbështet qeverinë libiane të Akordit Kombëtar, me bazë në Tripoli.

Forcat e gjeneralit Haftar mbështeten nga Egjipti, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara, Rusia e Franca, kurse qeveria libiane në kryeqytetin Tripoli ka mbështetjen e qeverive me tendencë islamiste si Turqia e Katari.

Kohët e fundit Turqia ka kaluar sasi të mëdha armatimesh dhe materialesh lufte në Libi, me anë të bazës ajrore të sapo-kapur në  al-Watiya, shkruan The Independent.

Karvane të mëdha luftëtarësh besnikë ndaj qeverisë së Tripoli janë parë duke avancuar drejt Sirte ndërsa mediat turke kanë raportuar dislokimin e sistemeve raketore dhe anti-ajrore në zona strategjike.

FOTO GALERI
1/3
Ushtria egjiptiane

Top Channel