Rekrutohet staf i ri mjekësor në QSUT dhe janë drejt përfundimit përgatitjet për hapjen e spitalit Covid-3.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka inspektuar spitalin e përshtatur COVID3 (struktura e ish-kirurgjive në QSUT) ku aktualisht ka filluar rekrutimi i stafit infermieror, i cili po merr eksperiencë në spitalin Infektiv, për t’u përgatitur për një fluks të mundshëm të shtimit të rasteve, që do të kërkojë edhe hapjen e spitaleve COVID3 dhe COVID4.

“Jemi duke u përgatitur për të patur burime njerëzore të nevojshme për strukturën e spitalit COVID3, pra ish-kirurgjitë dhe për spitalin COVID4 që është në aksin Tiranë-Durrës. Ka filluar rekrutimi dhe trajnimi i stafit. QSUT-së i janë shtuar 50 punonjës, një pjesë tashmë janë rekrutuar dhe një pjesë janë në rekrutim e sipër. Do të kryejnë dhe trajnimet e nevojshme dhe do të kombinohen me stafe të tjera me eksperiencë”, tha Manastirliu, gjatë inspektimit të spitalit COVID3.

Ndërsa përgjegjësi për burimet njerëzore për situatën e epidemisë, prof. Arben Gjata u shpreh se:

“Kemi një plan të organizuar për përfshirjen që nga vullnetarët që kemi në listë, gjithashtu do të aktivizohen të gjithë stazhierët e disa specialiteteve, duke i kombinuar me mjekë me eksperiencë nga shërbime të tjera, në shërbimet për pacientët COVID”, tha prof. Gjata.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se po përgatitet plani i veprimit për vjeshtë-dimrin, bazuar mbi një strategji të qartë.

“Kemi një strategji të detajuar në raport me situatën që presim, pra për situatën e vjeshtë-dimrit. Dhe plani i detajuar, parashikon disa komponentë të rëndësishëm dhe fuqizimin e tyre. Duke filluar nga testimi, duke vijuar nga kapacitetet spitalore, duke vazhduar tek burimet njerëzore, të cilat janë aseti ynë më i çmuar. Ndaj jemi duke mundësuar që skuadrat e mjekëve dhe infermierëve të jenë të gatshëm që në momentin që do të duhet, t’I kemi gati dhe të jenë të trajnuar”, tha Manastirliu.

Manastirliu ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për respektimin e rregullave.

“Kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve për të bërë kujdes në përditshmëri me 3 masa të thjeshta: mbajtja e maskës, distanca dhe higjiena personale, të vetmet armë që kemi në dorë për ta luftuar këtë virus”, apeloi Manastirliu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA