‘Akt tinzar prej frikacaku’, opozita jashtëparlamentare i përgjigjet Ramës: Po kërkon të heq koalicionet parazgjedhore…

22/07/2020 19:03

Opozita e Bashkuar me anë të një deklarate të përbashkët i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama menjëherë pas përfundimit të Këshillit Politik.

Sipas tyre teoria e “faktit të kryer” shkon kundër parimeve të dialogut politik, i cili është minuar sa kohë njëra palë ka ndërmarrë një akt të njëanshëm, që zhbën Marrëveshjen e 5 Qershorit.

Në reagimin e tyre opozita e Bashkuar shprehet se Edi Rama po bën fakt të kryer ndryshimin e elementëve bazë të sistemit zgjedhor, duke hequr koalicionet parazgjedhore si subjekt zgjedhor, duke ndryshuar konceptin e ndarjes administrative të zonave zgjedhore dhe organizimit elektoral, duke futur elementë të rinj në hartimin e listave dhe procesin e votimit, duke ndryshuar rregullat e administrimit zgjedhor.

DEKLARATË E OPOZITËS SË BASHKUAR:

Teoria e “faktit të kryer” shkon kundër parimeve të dialogut politik, i cili është minuar sa kohë njëra palë ka ndërmarrë një akt të njëanshëm, që zhbën Marrëveshjen e 5 Qershorit.

Ndryshimi i njëanshëm kushtetues për ndalimin e koalicioneve zgjedhore shkatërron të dyja marrëveshjet politike për zgjedhjet, atë të 14 Janarit dhe atë të 5 Qershorit.

Ecja drejt shkatërrimit nga Edi Rama i marrëveshjeve politike është një akt i rrezikshëm me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e vendit.

Këshilli Politik u krijua me investimin e partnerëve strategjikë SHBA-BE-Britani e Madhe-OSBE, si forum dialogu politik mes të gjitha palëve politike në vend, për të realizuar Reformën Zgjedhore. Me një lojë të pisët, të parapërgatitur prej kohësh, Edi Rama po e shkatërron atë, në mënyrë të njëanshme.

Edi Rama po bën fakt të kryer ndryshimin e elementëve bazë të sistemit zgjedhor, duke hequr koalicionet parazgjedhore si subjekt zgjedhor, duke ndryshuar konceptin e ndarjes administrative të zonave zgjedhore dhe organizimit elektoral, duke futur elementë të rinj në hartimin e listave dhe procesin e votimit, duke ndryshuar rregullat e administrimit zgjedhor.

Të gjithë këto elementë themelorë të garës elektorale, po tentohet të ndryshohen në mënyrë të njëanshme,

  • pa përfshirë opozitën politike të vendit, që përfaqëson në zgjedhjet e deformuara të 2017, jo me pak se gjysmen e votuesve (rreth 765 mijë votues);
  • në një proces të mbyllur, jo transparent dhe monopartiak, që ka zgjatur online në Kuvend vetëm 6 orë;
  • pa marrë mendimin e OSBE-ODIHR;
  • në kundërshtim me qëndrimin e Zyrës së OSBE-së në Tiranë, që ju solli në vëmendje se ndryshime të tilla nuk mund të kryen sipas standardeve ndërkombëtare 1 vit përpara datës së zgjedhjeve.
  • pa marrë mendimin e Komisionit të Venecias.

I gjithë ky ndryshim, që ka efekt në organizimin e zgjedhjeve, po propozohet të ndodhë vetëm 8 muaj nga data e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të rradhës, në kundërshtim të hapur me Kodin e Praktikave të Mira të Çështjeve Zgjedhore të Komisionit të Venecias.

Ky është një akt i paprecedentë në 30 vite pluralizëm, dhe një thyerje e rëndë e besimit të partnerëve strategjikë SHBA dhe BE që u investuan, përshëndetën dhe vazhdojnë të insistojnë në zbatimin e Marrëveshjes së 5 qershorit pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që e shkatërrojnë atë.

Ky akt tinzar prej frikacaku tregon tmerrin e kryeministrit në ikje nga zgjedhjet dhe rotacioni i pashmangshëm. Opozita e Bashkuar garanton të gjithë qytetarët se do të bëjë gjithçka, që faturën e rëndë që ky akt sjell për demokracinë, stabilitetin dhe integrimin e vendit ne Bashkimin Europian, ta paguajë vetëm Edi Rama dhe jo Shqipëria e shqiptarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA