Departamenti amerikan Drejtësisë ka paditur dy shtetas kinezë për hakerim të dy kompanive që punojnë me kontratë me departamentin amerikan të Mbrojtjes, të studimeve mbi COVID-19 si dhe të tjera kompanive në mbarë botën, sipas një dokumenti gjyqësor të publikuar të martën.

Autoritetet amerikane thanë se shtetasit kinezë Li Xiaoyu dhe Dong Jiazhi ishin pjesë në një fushate shumëvjeçare spiunazhi kibernetik që kishte rezultuar në vjedhjen e skicave për prodhim armësh, të dhëna mbi ilaçet, kode programesh kompiuterike e të tjera. Ambasada kineze në Uashington nuk ka bërë ende komente mbi çështjen.

Në aktakuzë nuk përmendet ndonjë kompani specifike, por thuhej se Li dhe Dong kishin vjedhur të dhëna kompjuterike të konsiderueshme në të gjithë botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Gjermaninë, Australinë dhe Belgjikën. Në dokument ngrihen dyshime se Li dhe Dong kishin vepruan si kontraktorë për ministrinë e Sigurisë të Kinës (MSS), e ngjashme me Agjencinë Qendrore amerikane të Inteligjencës. MSS, thanë prokurorët, i kishte furnizuar hakerat me informacione rreth pikave të dobëta të programeve kompjuterike për të depërtuar tek objektivat dhe për të marrë prej tyre informacione zbulimi.

Në shënjestër ishin dhe protestuesit në Hong Kong, zyra e Dalai Lamas dhe një organizatë kineze e krishterë jo-fitimprurës.

Ndihmësi i Prokurorit të Përgjithshëm për Sigurinë Kombëtare John Demers tha në një konferencë virtuale për shtyp se hakerat punonin herë pas here për llogari të tyre, përfshirë një rast në të cilit dyshohet se Li u përpoq t’i zhvaste 15 mijë dollarë në monedha dixhitale një personi.

Zoti Demers tha se Kina ishte bashkuar me “klubin e turpshëm të atyre kombeve që ofrojnë një strehë të sigurt për krimet kibernetike” në këmbim të shërbimeve të tyre për të vjedhur pronën intelektuale.

Dyshohet se hakerat kanë operuar nga viti 2014 deri në vitin 2020 dhe së fundmi janë përpjekur të vjedhin një studim mbi kancerin./VOA/

Top Channel