PD publikon videon: Rama gënjen. Asnjë gënjeshtër nuk e mbulon dot…

21/07/2020 16:11

Pasi kryeministri Edi Rama publikoi një spot për qëndrimin e tij për lista të hapura, menjëherë ka reaguar PD.

Me anë të një video të publikuar, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, ka ballafaqur deklaratat publike të Kryeministrit Edi Rama, me dokumentet zyrtare të firmosura nga Kryetari i Kuvendit dhe deputetët e PS.

“Sa herë hap gojën, Edi Rama gënjen për qëllimin e vërtetë të ndryshimit me urgjencë dhe në mënyrë të njëanshme të Kushtetutës. Kjo lojë e pistë po i nxjerr në pah tmerrin që ka nga zgjedhjet dhe humbja e pushtetit. Shikojeni vetë me zë dhe me figurë! Shikoni dhe dokumentat zyrtare të Komisionit të Ligjeve, që e faktojnë një kryeministër, i cili gënjen pa u skuqur. Me firmën e Gramoz Ruçit, shkruhet e zeza mbi të bardhë se qëllimi i ndryshimit të njëanshëm të kushtetues është heqja e koalicioneve parazgjedhore. Asnjë gënjeshtër e Edi Ramës nuk e mbulon dot këtë të vërtetë”, shkruan ai.

Në video shfaqet Rama që në një koferencë për shtyp, i pyetur nga gazetarët për tentativën për heqjen e koalicioneve, ku pohon se “Koalicionet nuk ndalohen, nuk mund të ndalohet dhe nuk do të ndalohen”.

“Mirëpo, ndryshimi kushtetutes i miratuar nga socialistët në Komisionin e Ligjeve, ka riformuluar pikën 1, të nenit 68 të Kushtetutës, duke hequr fjalët “koalicionet zgjedhore të partive politike”. Pra, neni 68 i Kushtetutës:

– Ishte: Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike.

– Bëhet: Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike”, shkruan PD në reagimin e saj.

Sipas Partisë Demokratike, edhe Raporti zyrtar i përbashkët i Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve, që është firmosur nga Kryetari i Kuvendit dhe 4 relatorët, konfirmon gënjehstrën e Edi Ramës.

Në faqen 24 të këtij Raporti, të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit thuhet se: “Heqja nga përmbajtja e pikës së parë të nenit 68 të fjalëve “koalicionet zgjedhore” do të thotë që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij projektligji koalicionet zgjedhore nuk mund të jenë më subjekte zgjedhore…….Nismëtarët kërkojnë përfshirjen në mekanizmin ligjor të listave të hapura dhe ky proces e bën të domosdoshme heqjen e koalicioneve parazgjedhore. Ky qëllim realizohet plotësisht nga përmbajtja e fjalisë së parë….”.

Sipas këtij sqarimi zyrtar, ndryshe nga sa pohon publikisht Kryeministri Edi Rama, koalicionet parazgjedhore hiqen dhe nuk lejohen të jenë subjekte zgjedhore. Më poshtë edhe Raporti i plotë zyrtar i Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit, i firmosur nga Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Opozita e ka konsideruar këtë ndërhyrje të njënashme në Kushtetutë si prishje të marrëveshjes së 5 Qershorit, ku është rënë dakord, që partitë politike të krijojnë koalicione parazgjedhore dhe që partitë pjesëtare të një koalicionit të mund të garojnë me lista shumemërore të veçanta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA