Evropa, e shqetësuar nga një rigjallërim i koronavirusit

21/07/2020 22:26

Ndërsa udhëheqësit e Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje historike për një paketë financiare rimëmbjeje, disa rajone dhe vende mund të përballen me një rigjallërim të infeksioneve nga koronavirusi.

Belgjika, Suedia, Luksemburgu dhe Portugalia janë mes vendeve që po njoftojnë për rritje të rasteve. Po ashtu pjesë të Barcelonës në Spanjë i janë rikthyer izolimit. Dhe në Itali, rajoni i Lacios, ku bën pjesë kryeqyteti Romë paralajmëroi për izolime të mundshme të lokalizuara, nëse gjenden vatra të tjera infeksioni.

Ndërkohë të hënën, Franca e bëri të detyruar përdorimin e maskave për të gjitha hapërirat publike të mbyllura, duke paralajmëruar se ata që nuk e zbatojnë rregullin do të gjobiten me 135 Euro. Në këtë vend, ka pasur një rritje modeste të rasteve, por në zona të verilindjes, si Brittany dhe Mayenne, ritmi i shtimit të rasteve ka qenë më shqetësues.

“Në këto momente, nuk bëhet fjalë për një vale të dytë”, tha të hënën ministri francez i shëndetësisë, Olivier Veran për radion France Info.

Megjitthatë ai paralajmëroi se nëse kjo prirje vazhdon, qeveria mund të konsiderojë masa izolimi rajonale dhe ndoshta edhe kombëtare.

“Të gjitha alternativat janë mbi tryezë”, tha ministry Veran.

Duke pasur parasysh se sa të goditura janë ekonomitë evropiane nga pandemia, një skenar i tillë ka gjasa të alarmojë shumë kryeqytete. Vetëm në Francë, si pasojë e mbylljes, ekonomia do të tkurret me afro 9 për qiund këtë vit, sipas agjencisë së statistikave INSEE.

“Mendoj se një valë e dytë që do të kishte nevojë për një mbyllje tjetër, kombëtare apo rajonale, do të kishte një kosto të lartë ekonomike”, thotë Gregory Claeys, ekonomist për grupin studimor Bruegel, me qendër në Bruksel.

Çdo muaj karantine në Francë, i ka kushtuar vendit afro 3 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, shton ai duke cituar agjencinë INSEE.

Analistët thonë se kjo e bën edhe më të domosdoshëm bashkëpunimin evropian për të shmangur një skenar të tillë, siç bënë udhëheqësit e BE-së të hënën, me miratimin e paketës buxhetore, pas bisedimeve maratonë.

Mund të ishin bërë më shumë përpjekje

Rritja e rasteve në Evropë është minimale krahasuar me atë të Shteteve të Bashkuara. Epiqendra e pandemisë është zhvendosur prej kohësh nga Evropa, ku Italia dhe Spanja kishin kulmin e rasteve globale në prill.

Megjithatë, shumë analistë thonë se rajoni mund ta kishte menaxhuar edhe më mirë pandeminë.

Një artikull në New York Times thotë se Evropa kishte qenë shumë prapa në menaxhimin e valës së parë, dhe se planet dhe përgatitjet e saj ishin ngritur mbi një kështjellë prej rëre “llogarish të gabuara dhe supozimesh të rreme”.

Sipas artikullit, rezervat kombëtare të maskave dhe paisjeve të tjera mjekësore, ekzistonin vetëm në letër.

“Mendoj se të paktën tani, ata janë më të përgatitur dhe kjo do të ndihmojë për shmangien e një izolimi tjetër”, tha ekonomisti Claeys.

Një studim i ri nga Universiteti Southampton i Britanisë, e kthen vëmendjen në një drejtim tjetër që ka nevojë për koordinim: Heqja e masave të izolimit dhe atyre për të ulur shkallën e infeksionit.

Ndërkohë një studim i Fondit për Popullsinë Botërore, botuar të premten në revistën “Science”, arrin në përfundimin se çdo rigjallërim i virusit, mund të afrohej me deri në pesë javë, nëse shtetet evropiane veprojnë në nëmyrë të pavarur për heqjen e kufizimeve.

Megjithëse qeveritë evropiane nuk i koordinuan izolimet, thotë autori kryesor i studimit, Nick Ruktanonchai, normaliteti nuk u kthye menjëherë pasi masat u hoqën. Po ashtu publiku vazhdoi të respektonte masat kufizuese për një farë kohe, duke ndihmuar për të pasur një gjendje të balamcuar.

Tani, thotë Ruktanonchai, duhet konsoliduar infrastruktura për të përballuar një valë të dytë “të pashmangshme”, mes të tjerash edhe teste dhe gjurmim të kontakteve përtej kufijve.

Ekonomi të ndryshme

Mekanizmat për uljen e ritmit të virusit duhet të vihen në funksionim sa më shpejt.

Suedia, që nuk imponoi masa izolimi, ka pasur një rritje të konsiderueshme javët e fundit, por edhe një rënie të rasteve serioze dhe vdekjeve.

Edhe në Belgjikë ka pasur një rritje të rasteve, me shifrat duke u dyfishuar në disa zona.

Agjencia Reuters njoftoi se vendi mund të jetë në fillesat e një vale tyë dytë.

Në përgjithësi, thotë analisti Claeys i kompanisë Bruegel, BE-ja ka bërë një punë më të mirë me menaxhimin e pasojave ekonomike, sesa shëndetësore.

Në vende si Gjermania, Franca, Irlanda dhe Holanda, qeveritë i kanë subvencionuar në masë të konsiderueshme rrogat, duke bërë të mundur pagesat për ata që kanë humbur punën.

Banka Qendrore Evropiane miratoi një program masiv të blerjes së bonove të thesarit për të ndihmuar vendet anëtare të përballojnë krizën, ndërsa BE-ja lehtësoi rregullat fiskale.

Në të dyja rastet tha Claeys, Evropa tregoi se ka “mësuar nga gabimet e mëparshme”, sidomos përgjegigjen e dobët ndaj krizës globale financiare të vitit 2009”.

Miratimi i paketës financiare the ai “tregon se Evropa është në gjendje të veprojë relativisht shpejt, në bashkëpunim dhe se është një strukturë e qendrueshme”./VOA/

Top Channel