Andrew Buncombe priste që detyra e tij më 1 korrik të ishte relativisht e qartë, mbulimi i një proteste në Siatëll për të përditshmen britanike “The Independent”. Përkundrazi reporteri u gjend në një situatë që nuk e kishte përjetuar më parë.
Atij iu vendosën pranga në kyçin e këmbës dhe një zinxhir që i mbështillte barkun. Andrew Buncombe u fut në një furgon bashkë me të tjerë që si ai sapo ishin arrestuar. Në një moment “zinxhiri rreth barkut” u bë aq i ngushtë sa gazetari u tha oficerëve të policisë se nuk po merrte dot frymë, një frazë e ngjashme me atë që kishte thënë George Floyd, Eric Garner si dhe të tjerë afrikano-amerikanë përpara se të vdisnin në duart e policisë, fjali që është kthyer në refrenin e protestave të lëvizjes “Black Lives Matter.
Si përgjigje oficeri i policisë i tha se: “nëse ke mundësi të flasësh, do të thotë se mund të marrësh edhe frymë” tha zoti Buncombe.
“Dukej si diçka surreale, çmenduri dhe qesharake njëkohësisht që do të më duhej t’i përdorja ato fjalë ndaj oficerit që sapo më kishte arrestuar“, tha Buncombe për “Zërit e Amerikës”.
“Sipas meje, përgjigja e tyre flet vetë“, shtoi ai.
Një zëdhënës i policisë së Siatëllit e drejtoi “Zërin e Amerikës” tek zyra e policisë për llogaridhënie, e cila po heton çështjen e zotit Buncombe. Ende nuk ka ndonjë përgjigje nga kjo zyrë lidhur me kërkesën e “Zërit të Amerikës” për koment.
Përgjigja e plotë:
“Ky incident i është referuar për shqyrtim Zyrës së Policisë për Llogaridhënie. Mund të kontaktoni këtë zyrë për të marrë një informacion mbi hetimin që ata po kryejnë. Sa i përket pyetjes mbi një zinxhir të mbështjellë rreth barkut të z. Buncombe … policia e Siatëllit nuk përdor këto lloj mjetesh për ndalimin e personave, që zakonisht quhet “zinxhir i barkut”. Besoj se kjo do të jetë përdorur nga burgu i kontesë King, i cili nuk mbikëqyret nga Departamenti i Policisë së Seattle”.
Zoti Buncombe ishte një prej më shumë se 70 gazetarëve të arrestuar ndërsa mbulonte demonstratat e nxitura nga vdekja e George Floyd në Mineapolis më 25 maj.
Faqja amerikane në internet “Ndjekësi i Lirisë së Shtypit” ka marrë raporte për mbi 500 incidente që përfshijnë gazetarët, përfshirë 114 sulme. Avokatët që mbrojnë të drejtat thonë se incidentet mund të kenë pasoja të rrezikshme për lirinë e shtypit në SHBA.
“Nuk ka krahasim sepse asnjëherë më parë nuk ka pasur protesta që kanë ndodhur njëkohësisht, sigurisht në historinë moderne dhe sigurisht në historinë prej krijimit të faqes sonë“, thotë Kirstin McCallen, redaktore përgjegjëse e Ndjekësi i Lirisë së Shtypit.
Zoti Buncombe, shef i korrespondenteve të SHBA-së për “The Indipendent”, po raportonte nga parku Cal Anderson mbi ndërhyrjen e policisë për të shpërndarë protestën përpara organit ligjvënës, një zonë të cilën protestuesit e kishin shpallur autonome për më shumë se tre javë. Brenda pesë minutave nga mbërritja në park tha zoti Buncombe, policia i kishte thënë se ndodhej “jashtë kufijve të ligjshëm” dhe e kishin arrestuar. Ai tha se kishte mbajtur lart dokumentin identifikues të gazetarit dhe se u kishte thënë policëve se ndodhej aty për të bërë foto.
Reporterët janë të përjashtuar nga urdhrat për shpërndarje të policisë, përveç rasteve nëse ato pengojnë fizikisht përpjekjet e policisë, sipas Kodit të Komunës së Siatëllit. Zoti Buncombe ndodhej nën arrest policie së bashku me 10 persona të tjerë, shumica e të cilëve ishin protestues. Ai tha se ishte shqetësuar se mos infektohej nga koronavirusit. Ai tha gjithashtu se u kishte thënë oficerëve se ishte gazetar.
Pas rreth gjashtë orësh, policia i tha gazetarit se do të akuzohej “për shpërfillje për t’u larguar” dhe ishte lënë i lirë. Më 15 korrik akuzat u hodhën poshtë.
Zoti Buncombe tha se incidenti nuk krahasohej me raste më të rënda që kanë përjetuar njerëz apo edhe gazetarë të tjerë. Por tha se ai hidhte hije dyshimi mbi sistemin e drejtësisë penale.
“Ishte pikërisht kjo dritare e vogël, tejet e vogël e depërtimit tek sistemi“, tha ai.
Fillimi i protestave shënon numrin me të madh të incidenteve të dokumentuara nga “Ndjekësi i Lirisë së Shtypit” që prej krijimit në vitin 2017, tha zonja McCudden. Mesatarisht, gjurmuesi raportonte rreth 150 incidente në vit.
Zonja McCudden ka vërejtur disa prirje, përfshirë rolin që strukturat e zbatimit të ligjit kanë luajtur. Nga 114 sulme fizike të raportuara, një oficer i zbatimit të ligjit dyshohej se ishte sulmues në 68 prej tyre ose rreth 60 për qind të rasteve. Vitin e kaluar tha ajo, 39 gazetarë u sulmuan, gjashtë prej tyre, dyshohet se ishin sulmuar nga punonjës të zbatimit të ligjit.
Në vend që të sigurojnë dhe krijojnë një mjedis ku si demonstruesit ashtu edhe gazetarët të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të demonstruar dhe mbuluar lajmin, ata përballen me metoda shumë agresive. Për ne kjo është një prirje shumë shqetësuese i tha “Zërit të Amerikës” Carlos Martínez de la Serna, drejtori i programit i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ).
CPJ ndihmon Ndjekësi i Lirisë së Shtypit me raportimet e tij.
Shumë prej arrestimeve dhe sulmeve kanë ndodhur pasi gazetarët janë vetëidentifikuar dhe kanë thënë se do të largohen nga vendngjarja tha zoti Martínez de la Serna. Mbrojtësit e lirisë së shtypit shqetësohen se incidentet mund të dëmtojnë pozitën e mëparshme të vendit si një fanar i lirisë së shtypit në botë.
SHBA ka përjetuar një rënie të vazhdueshme të lirisë së shtypit edhe para këtij viti. Në Indeksin e Lirisë së Shtypit Botëror për vitin 2020, i Gazetarëve pa Kufij, SHBA renditej e 45-ta nga 180 vende, ku në vend të parë renditej vendi më i lirë për sa i takon shtypit. Vendi ka rënë me 13 vende që nga viti 2013.
“Jam tejet e shqetësuar mbi gjendjen e lirisë së shtypit në Shtetet e Bashkuara” i tha “Zërit të Amerikës” Nora Benavidez, drejtoreshë e Programit të Lirisë së Shprehjes në SHBA.
“Pjesa më e madhe e punës sonë tani është të përpiqemi të mbledhim njerëzit për të kuptuar se liria e shtypit nuk është një koncept abstrakt, por një aspekt themelor i demokracisë sonë“.
Të tjerë thonë se natyra publike e incidenteve mund të prishë perceptimin e vendeve të tjera për SHBA.
Mbrojtësit e të drejtave të gazetarëve thonë se ndryshimi dhe drejtësia janë të nevojshme sikurse pasojat për ata që janë përfshirë në incidente me gazetarët.
Grupet e lirisë së shtypit, përfshirë CPJ-në, u kanë bërë thirrje guvernatorëve amerikanë dhe Presidentit Donald Trump që të sigurohen që sulmet ndaj gazetarëve të hetohen plotësisht dhe të respektojnë të drejtën e tyre për të mbuluar protestat.
Ata po bëjnë presion gjithashtu për një ulje të ndjenjave kundër shtypit në të gjithë vendin.
“Njerëzit kanë nevojë për informacion të besueshëm dhe kjo fillon me gazetarët“, tha zoti Benavidez. “Ata duhet të gëzojnë tolerancën dhe lirinë për të qenë në gjendje të raportojnë ashtu siç dëshirojnë e të jenë të mbrojtur nga hakmarrja“./VOA/
Top Channel