Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mori pjesë në një takim virtual me tre ministrat e jashtëm të vendeve baltike, Ministrin e Jashtëm të Lituanisë, Linas Linkevičius, Ministrin e Jashtëm të Estonisë, Urmas Reinsalu dhe me Ministrin e Jashtëm të Letonisë, Edgars Rinkēvičs.
Në takim ministrat diskutuan hollësisht për punën që po bën Shqipëria për të zbatuar të gjitha detyrimet para Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare.
“Duke vlerësuar thellësisht arritjet e Shqipërisë, veçanërisht në reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vendet baltike mbështesin fort mbajtjen e Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare.”- u shpreh Cakaj në një reagim në facebook lidhur me takimin.
Gjithashtu, Kryediplomati Cakaj theksoi se tema të diskutimit ishin përpjekjet e përbashkëta për të forcuar paqen e për të zgjidhur konfliktet nëpërmjet bashkëpunimit në OSBE dhe NATO.
“Në të njëjtën kohë, vlen të theksohet se vendet baltike mbështesin fuqimisht kandidaturën e Shqipërisë si anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit për vitin 2022-2023.”- përfundoi Cakaj postimin e tij.
Top Channel