Thaçi: Kosova gjithnjë e para, historia e UÇK dhe shtetformimi nuk mund të rishkruhen

19/07/2020 01:01

Vetëm një ditë pas kthimit në Kosovë nga marrja në pyetje e prokurorëve të Gjykatës Speciale, Presidenti, Hashim Thaçi ju është drejtuar qytetarëve, por pa dhënë asnjë detaj rreth intervistimit.

Ai ka treguar se është përballur me organin akuzues për 30 orë, lidhur me pretendimet për krime lufte, por jo nëse ato ndërlidhjen me aktakuzën e publikuar javë më parë, të cilin bashkë me Kadri Veselin dhe të dyshuar të tjerë e bën përgjegjës për afër 100 vrasje të paligjshme.

“I kam përfunduar rreth 30 orë ballafaqim me trupën e organit të akuzës, ku jam njohur me të gjitha pretendimet e tyre dhe u kam dhënë përgjigje pyetjeve të tyre. Kam respekt të plotë për procesin e zbardhjes, deri në fund, të së vërtetës dhe të rolit tim në luftën çlirimtare për liri dhe pavarësi. Për shkaqe etike dhe të kufizimeve ligjore nuk mund të hyj në detaje konkrete të këtij ballafaqimi”- tha Thaçi.

Thaçi nuk tregon nëse ka kërkuar sqarime nga Prokuroria se pse është publikuar njoftimi lidhur me aktakuzën, nëse do të inicion procedurë disiplinore ndaj tyre dhe nëse deklarimi i tij është bërë në prani të avokatit! Por, ai e ka cilësuar këtë hap si “proces të radhës në vazhdën e 21 vjetëve të akuzave, shpifjeve e fabrikimeve mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Ky proces i radhës është në vazhdën e 21 vjetëve të akuzave, shpifjeve e fabrikimeve mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe shtet. Por, ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së si një rol i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për lirinë e fituar për të gjitha gjeneratat që do ta gëzojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik”- vijoi Thaçi.

Me besim të plotë se lufta e UCK-së ishte e pastër dhe i bindur se kjo do të dëshmohet në fund, Thaçi ka kërkuar unitet politik drejtë sfidën finale për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë.

“Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për dialog të civilizuar mes forcave politike, për stabilitet institucional, për qeverisje të mirë dhe unitet qytetar e politik, veçanërisht në dialogun për njohjen e saj përfundimtare nga Serbia dhe nga krejt bota. Kosova sot duhet ta kultivojë shumëllojshmërinë e mendimit dhe të jetojë me debatin e shëndetshëm mes Qeverisë dhe opozitës. Por, njëkohësisht duhet t’i flasim botës me një zë dhe të zhvillojmë dialogun me Serbinë me një unitet shembullor çfarë e kishim në Rambuje, në Vjenë dhe në Bruksel”- shtoi presidemti i Kosovës.

Presidenti Thaçi dëshmoi në Hagë pak javë pas ngritjes së një aktakuze nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila u publikua pa u konfirmuar nga gjyqtarët.

E kjo aktakuzë ktheu mbrapsht Thaçin me 24 qershor gjersa ishte nisur drejtë Washingtonit si pjesë e ekipit negociator për ta zhvilluar përballjen e parë ndaj palës serbe pas një pauze afër dy vjeçare të dialogut. Si rrjedhojë, Thaçi hoqi dorë nga pjesëmarrja në dialog, i cili më pas rifilloi jo në Washington por Bruksel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA