Menjëherë pas daljes nga izolimi, plazhet tona u mbushën me pushues vendas, nga Kosova por edhe të huaj.
Rifillimi i lëvizjeve mbart dhe rrezikun e përhapjes së virusit. Mjeku infeksionit, Pëllumb Pipero teksa ndodhet për pushime në bregdetin e Vlorës, këshilloi qytetarët që nëse kanë shenja klinike të evitojnë pushimet.
“Çdo pushues kur niset për të pushuar, nëse ka shenja klinike, veçanërisht temperaturë, do ta këshilloja më mirë të qëndrojë në shtëpi. Së dyti, nëse ndodh që gjatë pushimeve, të ketë temperaturë, kollë, mjafton të komunikojë me 127 dhe shërbimin shëndetësor do ta ketë në dispozicion. Tamponi nuk është procedurë që të shëron apo të mjekon. tamponi është procedurë diagnostikuese, dhe u ofrohet të gjithë shtetasve, qofshin shqiptar apo të huaj, në vendin tonë”, tha Pëllumb Pipero.
Për operatorët turistikë që punojnë me pushues vendas edhe të huaj , mjeku Pipero ka këtë këshillë:
“Të gjithë operatorët turistikë, të cilët jo vetëm, t’i ftojnë por edhe t’i inkurajojnë të gjithë pushuesit që të vijnë në plazhet tona, por përpara se t’u rekomandojnë akomodimin, duhet t’i pyesin nëse kanë shenja klinike dhe të mos i rekomandojnë të vijnë nëse kanë shenja klinike. Pra kaq mjafton për të qenë të sigurt kur ata udhëtojnë, por të jenë të sigurt edhe këtu kur të pushojnë.”
Po çfarë duhet të bëjmë për të pasur pushime të sigurta????!!
“Kudo ku jemi të respektojmë jo vetëm protokollet, por sidomos masat e domosdoshme si maska në mjediset e mbyllura dhe distanca në mjediset e hapura dhe kur nuk ruajmë dot distancën, doemos të vendosim maskën. kaq mjafton për të qenë të sigurt edhe në bregdet edhe në mal.”
Top Channel