“Kuzhina fantazmë”/ Forbes lavdëron sipërmarrësin shqiptar

19/07/2020 16:40

Revista e njohur Forbes i ka kushtuar një shkrim të gjatë sipërmarrësit të ri shqiptar, Premtim Gjonbalic që kur ishte vetëm 23 vjeç doli me një ide e cila do t’i sillte më vonë miliona dollarë.

Premtimi kishte parë se tregu i hotelerisë kishte mangësi të mëdha kur vinte fjala tek ushqimi dhe eksperienca e shërbimit në dhomë. Djali i emigrantëve shqiptarë nga Mali i Zi u zhvendos bashkë me familjen në Nju Jork në fillimin e viteve 90′, ku praktikisht u “rrit me kokën në kuzhinë”. I ati punonte në restorante, ndërsa vetë Premtimi e kishte nisur punën si shpërndarës ushqimi, e më vonë, u bë menaxher.

Ai vuri re se hotelet praktikisht po humbnin para me shërbimin në dhomë për shkak të kostos të lartë dhe volumit të madh të kërkesave. Por sërish u nevojitej ky shërbim për të siguruar një numër të respektuar yjesh.

“Ke një hotel me 150 dhoma dhe staf të plotë, 7 ditë të javës nga tre turne në ditë, që shet një produkt i cili shumë shpejt mund të kalbet”, thotë i riu.

Kostoja e punës, mbajtja e kuzhinierit, shpenzimet për përbërësit dhe pasiguria e kërkesës për shërbim në dhomë, krijuan “një vrimë” financiare edhe për hotelet më të fuqishme. Kështu në vitin 2015, Premtimi krijoi Butler Hospitality, një platformë e mbështetur mbi kërkesën, që shërben si “kuzhinë fantazmë” për hotelet. Një nismë që së fundi, mblodhi 15 milionë dollarë. Kompania e tij rezultoi një sukses dhe sot dërgon ushqim në 119 mijë hotele dhe një totali prej 30.000 dhomash, duke përfshirë këtu dhe emra të njohur si Hilton apo Marriott.

Top Channel