Rusia akuzohet se po provon të vjedhë studimet e vaksinës së COVID-19

17/07/2020 03:46

Britania e Madhe, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Rusinë se po përpiqet të vjedhë të dhënat e hulumtimeve për vaksinat e COVID-19 nga institucionet akademike dhe farmaceutike në të gjithë botën.

Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike në Britaninë e Madhe (NCSC) tha më 16 korrik se grupi i hakerëve APT29, i njohur gjithashtu si Cozy Bear, ka shënjestruar organizatat e përfshira në zhvillimin e një vaksine kundër COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

NCSC tha se sulmet e grupit janë duke u zhvilluar “me qëllim të vjedhjes së informacionit dhe pronësisë intelektuale në lidhje me zhvillimin dhe testimin e vaksinave të COVID-19″.

“APT29 me siguri funksionon si pjesë e Shërbimeve të Inteligjencës Ruse”, tha NCSC. Paul Chichester, drejtori i operacioneve të NCSC, dënoi “këto sulme të neveritshme kundër atyre që bëjnë punë të rëndësishme për të luftuar pandeminë e koronavirusit”. Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, tha se ishte “plotësisht e papranueshme” që shërbimet e inteligjencës ruse shënjestrojnë angazhimet që po bëhen për pandeminë, duke shtuar se Britania do të punojë me aleatët e saj për të mbajtur përgjegjës ata që po veprojnë në këtë mënyrë.

“Derisa të tjerët po ndjekin interesat e tyre egoiste me sjellje të pamatura, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj po fillojnë me punën e vështirë për të gjetur një vaksinë dhe për të mbrojtur shëndetin global”, tha Raab në një deklaratë. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia nuk ka “asgjë të bëjë” me sulmet e supozuara të hakerave ndaj kompanive farmaceutike dhe instituteve kërkimore në Britani.

Shtetet e Bashkuara e kanë identifikuar grupin Cozy Bear si një nga grupet e hakerave të lidhura me qeverinë ruse që sulmuan rrjetin kompjuterik të Partisë Demokratike përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA