Kombet e Bashkuara thanë të premten se nevojiten 10.3 miliardë dollarë për të luftuar pasojat shëndetësore dhe ekonomike të COVID-19 në disa nga vendet më të rrezikuara në botë, duke paralajmëruar se mosveprimi tani, mund të kushtojë jetë të panumërta dhe triliona dollarë më vonë.
“Nëse nuk veprojmë tani, duhet të përgatitemi për një seri tragjedish njerëzore nga më brutalet dhe shkatërrueset se çdo ndikim i drejtpërdrejtë shëndetësor i virusit“, u tha gazetarëve shefi i shërbimeve humanitare të OKB-së Mark Lowcock.
Në fund të marsit OKB bëri thirrje fillimisht për 2 miliardë dollarë për rreth 40 vende për të përballuar COVID-19. Ndërsa virusi vazhdon të përhapet arganizata bëri kërkesë në muajin maj për 6.7 miliardë dollarë. Deri tani janë siguruar vetëm 1,64 miliardë dollarë.
Shuma e kërkuar të premten synon të ndihmojë 250 milionë njerëz në 63 vende, kryesisht në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine. Nga më shumë se 13.6 milionë raste të COVID-19 në të gjithë botën, rreth një e treta janë në vendet që OKB kërkon të ndihmojë. Mes tyre, Amerika Latine, rajoni më i goditur.
10,3 miliardë dollarët do të ndaheshin mes 10 agjencive të OKB-së përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e cila po udhëheq përgjigjen botërore ndaj COVID-19, disa organizatave të thera joqeveritare si dhe organizatë ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Vendet e pasura janë përgjigjur brenda vendit krizës ekonomike të shkaktuar nga virusi me më shumë se 11 trilionë dollarë paketë stimuluese ose rreth 10 për qind e Prodhimit të Brendshëm Brutor botëror.
Pa fonde për të përmirësuar situatën e krijuar nga virusi, OKB paralajmëron se deri në 640 milionë njerëz mund të infektohen, dhe 1.67 milionë mund të vdesin në vendet ku popullata e tyre ndodhet në rrezik të madh./VOA/
Top Channel