Hulumtimi i UNICEF-it: Vetëm 45% e të rinjve mbajnë maskë rregullisht në publik

17/07/2020 17:29

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka kryer një hulumtim në Kosovë, përmes së cilit të rinjtë janë pyetur për qëndrimet e tyre rreth masave për mbrojtje nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Në bazë të rezultateve që i ka bërë publike UNICEF-i, nga 1618 të rinjë të anketuar, vetëm 45% thonë se mbajnë maskë rregullisht në publik.

Megjithatë 86% e të rinjve kosovarë, që morën pjesë në hulumtim, besojnë se duke mbajtur maskën ata e mbrojnë veten dhe të tjerët.

“2% e pjesëmarrësve në anketë mendojnë se mbajtja e maskës ka një efekt negativ. 10% e pjesëmarrësve në anketë mendojnë se virusi nuk është i rrezikshëm apo nuk ekziston. 5% deklaruan se nuk kanë ndërmarrë ndonjë masë mbrojtëse kundër COVID-19 në 2 javët e fundit”, thuhet në njoftimin e UNICEF-it.

Aty thuhet se 7% e pjesëmarrësve (të gjithë prej tyre meshkuj) deklaruan se do të vazhdonin të takonin një shok/shoqe të infektuar me koronavirus, pa ndonjë masë mbrojtëse (maskë, dorëza, distancë) .

“26% i konsiderojnë shqetësimet e njerëzve për COVID-19 si të ekzagjeruara”, thuhet në njoftim.

Kosova ka shënuar përkeqësim të situatës epidemiologjike gjatë javëve të fundit.

Më 13 korrik Qeveria e Kosovës ka miratuar masa shtesë për të frenuar përhapjen e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri.

Ndër masat e vendosura është edhe ndalimi i grumbullimit të më shumë se 5 personave në sheshet publike, parqe dhe të ngjashme.

“Me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të koronavirusit, të gjithë banorët e Kosovës obligohen që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive apo banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2 metra në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre”, thuhej në vendimin e qeverisë.

Që nga fillimi i muajit mars dhe deri më 16 korrik në Kosovë janë regjistruar 124 viktima nga COVID-19. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë shkon në 5.472. Aktualisht raste aktive janë: 2708.

Më 16 korrik janë shëruar 95 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 2.640.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA