Vaksina/ Vuçiç: Serbia e merr deri në fund të vitit

16/07/2020 01:32

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic deklaroi se vendi i tij po zhvillon bisedime me një shtet i cili siç tha e ka përfunduar vaksinën kundër COVID-19, dhe që “ua jep atë popullatave të rrezikuara”.

“Shpresojmë se do të mund ta kemi atë vaksinë para fundit të vitit. Do të ishte shpëtim për Serbinë dhe ekonominë tonë”- tha Vuçic, i cituar nga Radio Europa e Lirë. Presidenti serb nuk sqaroi se për cilin vend bëhej fjalë.

“Së shpejti do ta nënshkruajmë protokollin për bashkëpunim, por nuk mund t’ju them se cili vend është”, u shpreh ai duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve. “ Por do të shohim që Serbia do të jetë ndër 30 vendet e para që do ta marrë atë vaksinë”, deklaroi presidenti serb. Në të gjithë botën, qeveritë po përpiqen të sigurojnë qasjen në vaksinat kundër Covid-19 të cilat ende në fakt nuk janë vërtetuar se janë të sigurta ose efikase.

Shefi Ekzekutiv i kompanisë farmaceutike Sanofi, Paul Hudson i tha disa kohë më parë rrjetit Bloomberg News se 30 milionë dollarët që Shtetet e Bashkuara kishin investuar në vaksinën e kompanisë, nënkuptojnë që amerikanët do të marrin dozat e saj së pari, nëse ajo funksionon. Por pas kritikave nga qeveria e Francës, vendi ku është qendra e kompanisë Sanofi, u detyrua të tërhiqej nga ky pohim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA