Italia do të mbyllë kufijtë për Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi

16/07/2020 14:48

Italia njoftoi se do të mbyllë kufijtë e saj për Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi, në vazhdën e përpjekjeve për të frenuar një rigjallërim të pandemisë në vend.

Përmes një postimi në Twitter, ministri i Shëndetësisë i Italisë, Roberto Speranza, sqaroi se “Serbia, Mali i Zi dhe Kosova janë futur në listën e vendeve në rrezik”.

“Atyre që kanë qenë atje në 14 ditët e kaluara, u ndalohet hyrja dhe kalimi tranzit në Itali”. “Në botë, epidemia është në fazën më të vështirë. Kujdesi maksimal është i nevojshëm për të ruajtur përparimin e bërë deri më tani”, ka shkruar Speranza. Në kulmin e pandemisë së koronavirusit në mars dhe prill, Italia u kthye në epiqendër të infeksionit.

Mbi 243,000 njerëz janë prekur atje nga koronavirusi e 35,000 kanë ndërruar jetë. Numri i të infektuarve ka qenë në rënie në javët e fundit dhe ekonomia italiane është në rihapje e sipër. Këtë javë, edhe Austria ndaloi fluturimet nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.Vendet e rajonit kanë parë rritje të madhe të numrit të rasteve me koronavirus, në javët e fundit. Aktualisht, në Kosovë janë të konfirmuara 5,237 raste pozitive dhe 112 të vdekur. Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia është më e goditura, me gati 20,000 raste pozitive dhe 429 viktima.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA