Fiks Fare vijoi investigimin për resortin “Morava Resort” në Korçë, ku rezultoi se nga vitit 2017 deri në vitin 2020, ndërtimi u 10-fishua.

Madje, me vendime të dyshimta ndërtimet pa leje u legalizuan në mënyrë arbitrare vetëm me emrin e një bashkëpronari, pavarësisht se resorti kishte dy ortakë. Më 8 korrik, emisioni investigativ faktoi me zë, figurë por edhe dokumente këto ndërtime. Madje, në momentin që gazetarët shkuan në këtë kompleks, po realizoheshin punime që nga themeli. Dhe, një ditë pas transmetimit të këtij investigimi nga “Fiks Fare”, oficerët e policisë gjyqësore të Prokurorisë së Korçës shkuan pranë kompleksit “Morava Resort”, duke bërë këqyrjen e ndërtimeve pa leje. Ata morën në pyetje një nga ortakët e këtij kompleksi, i cili nuk ishte në dijeni të këtyre ndërtimeve. Menjëherë pas verifikimeve të para, pa kaluar as 24 orë nga publikimi i këtij skandali, Policia e Korçës shpalli në kërkim ortakun tjetër, Arben Reli, i cili është autori i këtyre ndërtimeve pa leje.
Pamjet, intervistat dhe dokumentet e transmetuara në “Fiks Fare” bindën prokurorinë e Korçës për të regjistruar procedimin penal. Drejtuesit e kësaj akuze i konfirmuan Fiksit se hetimet do të shtrihen gjatë 3 viteve të fundit. Nga viti 2017 deri në vitin 2020, ndërtimet te “Morava Resort” janë 10 – fishuar! Dhe, të gjitha pa leje, ku të gjitha gjurmët e këtyre ndërtimeve të çojnë te një emër; Arben Reli!

Legalizime me fotokopje!

Pavarësisht thirrjeve të njëpasnjëshme të kryeministrit Edi Rama që ndërtimet të hetohen si vrasjet, në terren ndodh komplet e kundërta. Ndërtohen mijëra metra katrorë pa asnjë leje dhe askush nuk “i shikon”. Madje, edhe në zonat turistike siç është edhe Mali i Moravës në Korçë. “Fiks Fare” ka faktuar se dokumentet që “legalizuan” këtë ndërtim pa leje, janë totalisht të falsifikuara.

Në vitin 2007, sipas një dokumenti noterial, prona është blerë nga Sefedin Bajraktari, i cili është bërë pronar me 100 përqind të aksioneve. Dy vite më vonë, Sefedin Bajraktari, i shet 50 % të aksioneve Arben Relit. Pas vitit 2009, deri në ditët e sotme, “Morava Resort” ka dy pronarë, sipas dokumentit hipotekor. Pavarësisht kësaj, një nga ortakët, Arben Reli, filloi të ndërtojë pa leje dhe t’i legalizojë këto prona vetëm në emrin e tij. Sipas këtij dokumenti, të cilin “Fiks Fare” e siguroi nga zyra e Kadastrës Korçë, Arben Reli, ka bërë një deklaratë për të legalizuar këto ndërtime pa leje. Deklarata është mbajtur në muajin gusht të vitit 2014, ku Reli aplikoi te zyra e ALUIZNI-t. Kësaj deklarate z.Reli i ka bashkangjitur vërtetimin hipotekor. Dhe, në këtë vërtetim, ai ka vetëm 50 përqind të pronës!

Po si e legalizoi?! Sipas dokumenteve të Kadastrës, z.Reli dërgoi te zyrat e ALUIZNI-t, fotokopje të një deklaratë noteriale të vitit 2011, ku sipas këtij dokumenti, ortaku Sefedin Bajraktari hiqte dorë nga pronësia e ndërtimeve shtesë në kompleks. Kjo fotokopje ka rezultuar e falsifikuar, sipas një akt ekspertimi grafik nënshkrimesh.

Eksperti: Deklarata noteriale e falsifikuar!

Eksperti kriminalist, z.Xhevair Çeloaliaj, me një përvojë pune 31 vjeçare, i cili ka drejtuar edhe Institutin e Policisë Shkencore doli në përfundimin se nënshkrimi i ortakut Sefedin Bajraktari në deklaratën noteriale “është i falsifikuar”. Ai tha për “Fiks Fare” se ka analizuar tre dokumentet e kësaj deklarate noteriale. Sipas tij, në zyrën e ALUIZNI-t në Korçë, kjo deklaratë noteriale është gjetur vetëm fotokopje. Një kopje tjetër u mor te noterja Margena Çela dhe një kopje tjetër u mor te zyrat e Bashkisë. Nënshkrimet te kjo deklaratë noteriale u analizuan me nënshkrime të z. Sefedin Bajraktari në dokumente të vjetra, para dhe pas vitit 2011. Por, edhe me disa prova të kryera nga Sefedin Bajraktari para ekspertit. Pas analizimit, eksperti doli në konkluzionin se; Nënshkrimet, emër, mbiemër, firmë, objekt ekspertimi në emër të Sefedin Bajraktari në 3 ekzemplarët deklaratë noteriale të vitit 2011, përpiluar prej noteres Margena Çelaj, nuk duhet të jenë shkruar nga Sefedin Bajraktari, krahasuar me modelet e paraqitura në emër të Sefedin Bajraktarit. Eksperti ka sqaruar edhe togfjalëshin “nuk duhet”, ku përcakton se dokumentet e gjetura në institucionet zyrtare kanë qenë vetëm fotokopje. Ai pohon se është i hapur për të kryer një tjetër ekspertim të urdhëruar nga prokuroria dhe gjykata me dokumentet origjinale.

Dokumenti fals u shoqërua me pasaportë të skaduar

Po si u përpilua dokumenti fals përpara noteres Margena Çela? Gazetarët e Fiks Fare shkuan disa herë në zyrën e noteres, për ta pyetur si e përpiloi këtë akt pa njërin firmëtar. Ajo nuk pranoi të japë asnjë shpjegim, duke pohuar se “nuk mund të japë shpjegime për të dhëna personale”.

Fiks Fare ka mësuar se, përveç falsifikimeve të nënshkrimeve me dorë dhe të shtypura të deklaratës, bashkëlidhur këtij akti është edhe fotokopja e pasaportës së vjetër të ortakut Sefedfin Bajraktari. Akti noterial pretendohet se është realizuar në datën 3 maj 2011. Dhe, sipas këtij dokumenti, pasaporta e ortakut është e vjetër, me numër Z, e cila ka dalë jashtë përdorimit në vitin 2010. Në maj 2011, Sefedin Bajraktari ka pasur në përdorim një pasaportë biometrike. Ky është një tjetër fakt që vërteton se deklarata noteriale është totalisht e falsifikuar. Por, edhe për këtë fakt, noterja nuk pranoi të japë asnjë shpjegim.

Në vitin 2017, zyra e ALUIZNI-t e mori të mirëqenë këtë dokument fals, duke lëshuar leje e legalizimit vetëm në emrin e z. Arben Reli. Megjithatë, ky gabim u ndreq vetëm disa javë më parë. Sipas një dokumenti, Zyra e Kadastrës arsyeton se, edhe nëse deklarata noteriale nuk vërtetohet që të jetë false, sërish ortaku Sefedin Bajraktari “nuk shprehet që leja e legalizimit të emëtohet në emër të z.Arben Reli”. Kadastra thotë se “regjistrimi i tyre në emër të z.Reli është bërë në kundërshtim me ligjin ‘për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje'”. Madje, në nenin 2 të këtij ligji përcaktohet se “kur ndërtimi pa leje disponohet nga më shumë se një person fizik ose juridik, regjistrimi i pjesëve takuese mbi pasuritë kryhet në pjesë të pandara, ideale, sipas numrit të subjekteve.

Dhe, në fund, me të drejtë, zyra qendrore e Kadastrës ka urdhëruar korrigjimin e lejeve të legalizimit! Por, pavarësisht se gabimi u korrigjua, Zyra Antikorrupsion ka shkuar në Drejtoritë e Kadastrës. Ajo që nuk kuptojmë është se, ka shkuar në mbrojtje të të kërkuarit nga policia, apo për të zbuluar falsifikimet ndër vite?

Top Channel