Borell: Pres dialog në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit

16/07/2020 16:45

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të zhvillojnë një dialog në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit.

Komentet ai i bëri para fillimit të takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Pres diskutim konstruktiv që do t’i kontribonte normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve ndërmjet dy vendeve”, tha Borrell në adresimin e tij.

Borrell tha se i vjen mirë që BE-ja e ka rikthyer rolin udhëheqës të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Borrell dhe Lajçak do të takohen fillimisht me kryeministrin Hoti dhe pastaj me presidentin Vuçiq. Më pas, do të kalojnë në të ashtuquajturin takim trepalësh.

Dialogu virtualisht rifilloi​ më 12 korrik, ku palët biseduan përmes një video- konference, por takimi i sotëm paraqet bisedimet e para të drejtëpërdrejta pas 20 muajsh.

Në një video-konferencë të mbajtur më 12 korrik, palët kanë rënë dakord për një agjendë të takimit.

Ata njoftuan se, ndër të tjera, do të diskutohet për të pagjeturit, por zyrtarët e BE-së të përfshirë në dialog nuk i konfirmuan këto pretendime, duke theksuar vetëm se “ekziston një agjendë për bisedimet”, shkruan REL.  Dialogu në Bruksel filloi në mars të vitit 2011. Ideja ka qenë të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë.

Në tetor të vitit 2012, procesi kaloi në nivelin politik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA