Sipërmarrësi milioner gjendet pa kokë pranë sharrës elektrike në apartament

15/07/2020 18:57

Një sipërmarrës i suksesshëm teknologjie është gjetur pa kokë dhe me trup të copëtuar në apartamentin e tij luksoz në New York, njoftoi policia amerikane.

33-vjeçari Fahim Saleh, u gjet dje i vrarë brutalisht në apartamentin e tij më vlerë $2.25 milionë në zonën Lower East Side, pranë një share elektrike të lënë përtokë, në një skenë reale por identike me filmin klasik të horrorit “American Psycho”.

Hetuesit në skenën e krimit gjetën trungun e tij të gjymtuar pranë sharrës elektrike dhe më pas gjetën edhe kokën dhe gjymtyrët.

Autoritetet gjetën gjithashtu disa qese plastike me të cilat vrasësi kishte tentuar të pastronte skenën makabre, thanë oficerët për të përditshmen “New York Times”. Trupi i Saleh u gjet nga e motra e cila thirri policinë pas zbulimit. Mediat thanë se kur erdhën autoritetet, sharra elektrike ishte ende në prizë, duke sugjeruar se ardhja e të motrës mund të kishte shqetësuar vrasësin.

Kamerat e sigurisë raportohet se kishin kapur Saleh që hynte në ashensorin e ndërtesës me një burrë me kostum të zi, me maskë dhe me një valixhe të madhe.

Kur Saleh del nga ashensori, burri e ndjek dhe nis të përleshet me të, tha policia. Pak më vonë vjen në ndërtesë e motra e Saleh. Një burim i policisë tha për të përditshmen tjetër të qytetit “New York Post” se incidenti ishte një vrasje e shënjestruar, e kryer nga një vrasës profesionist.

Policia nuk ka dhënë motive për krimin dhe ende asnjë arrestim nuk është kryer. Saleh ishte një sipërmarrës i vetë-punësuar në fushën e teknologjisë dhe kishte investuar në disa kompanie teknologjike transporti, sipas profilit të tij në rrjetin LinkedIn.

Ai kishte krijuar vetë kompaninë e aplikacionit të transportit Patheo në shtëpinë e prindërve të tij në Bangladesh në 2015 ndërsa dy vjet më vonë krijoi një kompani të ngjashme motoçikletash në Lagos, Nigeri.

Ndërsa në 2018-ën nisi kompaninë e investimeve Adventure Capital në New York. “Ne e quanim atë Elon Musk-u i vendeve në zhvillim. Lajmin ma dha një mik i tij nga Dubai .. ai ishte plot me ide”, tha një i njohur për New York Post.

Top Channel