Njihuni me kurat e shpejta dhe të shëndetshme për pastrimin e mëlçisë

15/07/2020 04:44

Mëlçia është një organ shumë i rëndësishëm në trupin e njeriut. Ajo luan shumë role thelbësore në organizëm si pastrimi i gjakut, luftimi i infeksioneve të ndryshme dhe tretja. Mëlçia është organi i vetëm në trup që rregullon veten në rast dëmtimi, por ajo ka nevojë të pastrohet rregullisht. Në këtë artikull do të mësoni disa receta të thjeshta për pije të shëndetshme që do t’ju ndihmojnë të pastroni mëlçinë.

Çaji I Lëkurave Të Limonit
Lëkurat e limonit janë të pasura me vitaminë C dhe shumë antioksidantë. Për këtë çaj ju nevojitet: lëkurat e një limoni, 250 ml ujë dhe një lugë gjelle me mjaltë. Pastroni mirë me ujë dhe pak sodë buke lëkurat e limonit. Ziejeni ujin dhe më pas hidhni brenda lëkurat e limonit.

Mbulojeni çajnikun me kapak, hiqeni nga zjarri dhe lëreni lëkurën të çlirojë substancat mirëbërëse për 10 minuta. Kullojeni dhe ëmbëlsojeni çajin me mjaltë. Ky çaj duhet pirë 30 minuta përpara gjumit dhe çdo ditë për tre javë me rradhë.

Çaj Me Xhenxhefil Dhe Limon
Sipas të dhënave, xhenxhefili me limonin përmirësojnë tretjen, luftojnë inflamacionin dhe pastrojnë mëlçinë e tëmthin. Për këtë çaj ju nevojitet: 1 lugë çaji me xhenxhefil pluhur, 250 ml ujë dhe lëngu i një gjysmë limoni. Ziejeni xhenxhefilin pluhur në ujë për 2-3 minuta. Më pas lëreni në ujë për 10 minuta të tjera. Kullojeni dhe shtoni lëngun e limonit. Ky çaj duhet pirë 40 minuta përpara gjumit për 2 ose 3 javë me rradhë.

Çaji I Mentes
Mentoli tek kjo bimë përmirëson tretjen dhe metabolizmin. Ai kontribuon në eliminimin e toksinave nga mëlçia. Për përgatitjen e çajit ju nevojiten: 1 lugë gjelle me gjethe mente, 250 ml ujë dhe gjysëm luge gjelle me lëng limoni.

Ziejeni menten në ujë, lëreni për 10 minuta dhe më pas kullojeni. Sipas dëshirës mund të shtoni edhe lëngun e limonit. Ky çaj duhet pirë 20 minuta përpara gjumit për 3 javë me rradhë.

Çaji I Kamomilit
Kamomili është shumë i pasur me antioksidantë të cilët ndihmojnë në filtrimin e toksinave nga gjaku. Për këtë çaj ju nevojitet 1 lugë gjelle me lule kamomili dhe 250 ml ujë. Ziejeni kamomilin për 5 minuta dhe më pas lëreni mënjanë për 10 minuta të tjera. Kullojeni dhe pijeni menjëherë përpara se të shtriheni për të fjetur. Mund ta ëmbëlsoni me mjaltë. Ky çaj duhet pirë çdo mbrëmje për 2 javë./AgroWeb.

Top Channel