Nigeria tejkalon shifrën prej 33 mijë të infektuar me COVID-19

15/07/2020 11:59

Mbi 460 raste të reja me koronavirus janë regjistruar në Nigeri, duke e çuar numrin e përgjithshëm në më shumë se 33 mijë.

Sipas shifrave të fundit nga Qendra e Nigerisë për Kontrollin e Sëmundjeve (NCDC), deri më tani janë konfirmuar 33.616 raste, përfshirë 13.792 pacientë të shëruar në 36 shtetet e vendit.

Ky vend i Afrikës Perëndimore ka regjistruar gjithashtu 754 vdekje nga COVID-19.

Mbrëmë vonë, qeveria e shtetit jugperëndimor Ogun bëri të ditur se ka krijuar një komitet që do të shqyrtojë mundësitë e rihapjes së shkollave në përputhje me udhëzimet mbi koronavirusin.

Në fillim të kësaj jave, Nigeria lëshoi udhëzime të reja për rihapjen e shkollave.

Vendi rifilloi fluturimet e brendshme në dy qytete të mëdha javën e kaluar pas disa muajve të pezullimit.

Top Channel