“Kërcënimi se ‘këtu do bëhet nami’ nuk funksionon”/ Rama: Nuk po heq koalicionet, po parandaloj devijimin e votës

15/07/2020 13:48

Kryeministri Edi Rama në një konferencë me gazetarët po flet për votimin dje te komisioni i ligjeve për listat e hapura dhe ndalimin e koalicioneve dhe sot kalimin e paktit të 5 Qershorit.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se nisma nuk heq koalicionet, por parandalon devijimin e votës si në rastin e ‘dushkut’.

Sipas shefit të qeverisë, Shqipëria nuk mund të ketë një sistem ku vetëm në Tiranë ka 3 mijë kandidatë mesatarisht.

Rama theksoi se kërcënimet nuk funksionojnë dhe që pëlqimi për atë që bën Kuvendi nuk është standard.

“Qëllimi ynë ishte depolitizimi i menjëhershëm, plotësisht i mundur dhe i dobishëm për procesin”, thotë më tej Kryeministri.

Rama: Përtej dëshirës sonë ne nuk donim që përsëri Shqipëria të mos depolitizonte administratën zgjedhore. Qëllimi ynë ishte depolitizimi i menjëhershëm, plotësisht i mundur dhe i dobishëm për procesin. Marrëveshja u krye dhe ne në dakordësi me miqtë dhe partnerët e shpërfillëm rekomandimin bazë të OSBE/ODIHR që është depolitizimi. Unë nuk pendohem por faktet janë të rëndësishme. Është shumë e rëndësishme që të gjykojmë mbi produktin dhe të gjykohemi për produktin jo për fjalët apo mbi nivelin e pakënaqësive të një aktori apo një tjetër aktori politik. Kjo është jashtë kornizës të kushteve të BE.

Unë besoj që është koha që të gjithë të shikojnë faktet ti lënë mënjanë aktorët, pëlqimet, paragjykimet, gjykimet e bazuara mbi fjalë dhe të shikojnë faktet.

Çfarë po bën Shqipëria? Mos vallë kuvendi po merr ndonjë nismë për ti dhënë pushtet të pakufizuar dikujt siç ka ndodhur së fundmi në ndonjë vend jashtë Europës? Jo.

Çfarë po bën Shqipëria? Ju tani e tutje nuk do të votoni jo vetëm për partinë por edhe për deputetin/teten që ju pëlqen? Nuk besoj.

Çfarë po bën Shqipëria, po heq koalicionet? Jo! Në asnjë mënyrë. Po krijon një kuadër ku koalicionet do të funksionojnë si në çdo vend të Europës dhe jo si rrap pas dushkut, ju kujtohet historia e devijimit të votës. Si mund të kemi ne një sistem ku vetëm në Tiranë kemi 3 mijë kandidatë, ku është parë? Edhe ata që marrin vota për një parti ia çojnë tjetrës, kaq po bën Shqipëria.

Dhe nëse ka diçka që nuk përputhet me standardin, absolutisht i gatshëm që të dëgjoj, por nuk është standard pëlqimi apo mospëlqimi i Bashës apo partive të tjera që braktisën parlamentin. Ky nuk hyn si standard. Kërcënimi, “ose si themi ne ose këtu do të bëhet nami”, nuk funksionon, nuk ka dhe nuk ka për të funksionuar. Kërcënimi se bota do të thotë se këta nuk janë për në Europë, është në planin kombëtar një akt i dënueshëm dhe dënimin e jep populli me votë. Ky është mendimi im në tërësi. Unë jam respektues ndaj miqve.

Top Channel