Manjola Kajana është prokurorja më e re që i bashkohet SPAK. Lajmin e ka mirëpritur edhe ambasada amerikane në vend.

“Urime ZPP/SPAK për prokurorin e ri që iu shtua ekipit. Kapacitet më i madh do të thotë më pak mundësi për të fshehur të paskrupujt”, thuhet shkurtimisht në reagimin e ambasadës.

Ndërkohë në Institucionin e Presidentit të Republikës u zhvillua sot ceremonia solemne e betimit të znj.Manjola Kajana.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, Prokurorja Manjola Kajana u betua para Presidentit Ilir Meta se:

“Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”

Presidenti Meta i uroi suksese dhe punë të mbarë prokurores së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke i kërkuar të ushtrojë detyrën në mënyrë profesionale dhe të pavarur, duke iu bindur vetëm Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm edhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z.Gent Ibrahimi, si dhe Kryetari i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z.Arben Kraja.

Me emërimin e saj, SPAK ka aktualisht në strukturën e tij 13 prokurorë nga lista e 15 prokurorëve të zgjedhur nga Këshillin i Lartë i Prokurorisë. Me këtë rast, kryetari Gent Ibrahimi i bëri edhe një herë thirrje organeve të Vettingut për të përshpejtuar afatet për verifikimin e figurës, pasurisë dhe aftësive profesionale për dy prokurorët e mbetur, Anton Martini dhe Elizabeta Imeraj, pjesë e listës së sipërpërmendur.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel