Në shtet shkelen masat anti-covid/ Ndëshkohen subjektet tregtare, por ata që bëjnë thirrje janë të parët që nuk i zbatojnë

14/07/2020 19:51

Nga mbi 108 mijë inspektime të kryera nga Task Forca anti-COVID gjatë epidemisë, janë vendosur rreth 400 masa administrative për subjektet e gjetura në shkelje të protokolleve të sigurisë, ku vihet re së fundmi një vetë ndërgjegjësim në zbehje.

Por teksa më së shumti janë gjobitur subjektet tregtare, çfarë ndodh me institucionet publike?

Ministria e Shëndetësisë krah përditësimit të të dhënave me të prekurit me covid 19 , u kërkon qytetarëve që të tregohen vigjilent e të respektojnë të gjitha masat anti-covid per të parandaluar përhapjen e koronavirusit, por vetë Ministria e Shëndetësisë nuk i përgjigjet kësaj thirrjeje. Në institucion punonjësit e shëndetësisë jo vetëm nuk janë të gjithë me maska apo mbajnë distancën nga njëri tjetri por nuk shmangin dot as takimet.
Edhe në derën e Institutit të Shëndetit Publik të pret roja pa masat mbrojtëse, si dhe në vijim nuk ka kontroll e jo të gjithë janë te pajisur me maska.

Ndërsa brenda qendrës spitalore universitare nënë Tereza janë të shumta vendgrumbullimet, duke mos mbajtur distancën. E njëjta gjë ndodh edhe në qendrat shëndetësore, e pavarësisht se protokolli shëndetësor parashikon matje temperature, kjo masë nuk realizohet më.

Edhe pse në hyrje të institucioneve shtetërore ka njoftime te qarta në lidhje me masat mbrojtëse, nuk lejohet të hysh brenda pa maska dhe doreza, disa prej punonjësve nuk e zbatojnë dhe sërish nuk pengohen për të vazhduar punën..

Top Channel