Hiqeshin si kurues dhe pretendonin se kishin kurën për covid/ Detajet: Të arrestuarit, vëllai dhe nipi i ish-deputetit të PD

14/07/2020 19:41

Dy personat që u arrestuan pasi që prodhonin ilaçe në mënyrë artizanale dhe ia shisnin qytetarëve me pretendimin se do t’i shëronte nga COVID-19, janë vëllai dhe nipi i ish-deputetit të PD Andon Frroku.

Frederik Frroku 57 vjeç nëpërmjet rrjetit social Facebook bënte thirrje për prodhim të substancave për kurimin e virusit COVID-19 nga një përzierje e acidit klorhidrik me H2O, duke pretenduar se me këtë përzierje kishte shpikur ilaçin për kurimin e këtij virusi.

Në kuadër të operacionit u kap në flagrancë në një lokal, nipi i tij Henri Frroku cili po i shiste ilaçin një klienti.

Frederik Frroku pasi bënte prodhimin e këtyre medikamenteve në kushte artizanale dhe jashtë kushteve laboratorike, në kushte shtëpie, ia jepte nipit i cili, pasi takonte personat e interesuar, ua shiste atyre kundrejt pagesës 20.000 lekë të reja, me premtimin se shëronin COVID-19.

Në banesën e shtetasit Frederik Frroku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë provës materiale dhe pesë pajisje mjekësore pa faturë tatimore, të cilat dyshohet se mund t’i ketë futur kontrabandë.

Top Channel