Komisioni Kombëtar Zgjedhor i Polonisë tha se presidenti konservator, Andrzej Duda, ka fituar 51.21 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të vendit.

Tashmë janë numëruar thuajse të gjitha votat dhe Duda ka arritur të fitojë, ndonëse me një rezultat tepër të ngushtë ndaj kryebashkiakut social liberal të Varshavës, Rafal Trzaskowski. Ky I fundit mori rreth 48.80 për qind të votave.

Pjesëmarrja e votuesve ishte jashtëzakonisht e lartë me 68 për qind, tha Komisioni. Këto zgjedhje u panë gjerësisht si një betejë për të ardhmen e vendit, si dhe marrëdhëniet e tensionuara me Bashkimin Europian.

Fitorja e Dudës pritet tani të çojë drejt reformash të tjera kontroverse në gjyqësor si dhe në një vazhdim të kundërshtisë ndaj abortit e të drejtave të homoseksualëve. Gjatë fushatës, politikani konservator ishte kritikuar ashpër pas deklaratave të tij se të drejtat LGBT janë një “ideologji më shkatërruese se komunizmi”. Votimet u mbajtën nën rregulla të rrepta higjienike, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Zgjedhësit duhet të mbanin maska dhe doreza, distancën fizike si dhe të dezinfektonin duart.

Top Channel