Janë rihapur aplikimet për qytetarët që kanë banesa të dëmtuara nga tërmeti në Durrës, po që nuk kanë patur mundësi të aplikojnë më parë në aplikacionin “Shtëpia ime”.

Ndonëse pa një njoftim zyrtar nga ana e Bashkisë, qytetarët janë vënë në dijeni, në mënyra të ndryshme, dhe kanë vërshuar drejt së vetmes zyrë që është hapur për këtë fazë të re aplikimesh që po bëhet pranë ish-zyrave të ALUIZNI-t, te godina e prefekturës së qarkut.

Aplikuesit janë jo vetëm emigrantë dhe banorë të bashkisë së Durrësit, po dhe nga zona të tjera të Shqipërisë, si dhe nga Kosova, Mali i Zi e Maqedonia e veriut, që kanë një a më shumë shtëpi të dëmtuara në territorin e bashkisë së Durrësit dhe që nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë më parë, për arsye të ndryshme.

Të gjithë shpresojnë të përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit të vëna në dispozicion nga qeveria për rindërtimin. Në bashkinë Durrës bëjnë të ditur se aplikimi do të vijojë deri të mërkurën, por qytetarët kërkojnë hapjen e sporteleve të tjera ose shtyrje të këtij afati për të pasur mundësi të aplikojnë pa u dyndur në dyert e të vetmes zyrë, nën temperatura të larta dhe pa respektuar distancimin fizik, teksa Covid-19 shton numrat e të prekurve.

Top Channel