Tension në Bullgari/ Kërkohet dorëheqja e qeverisë

13/07/2020 11:25

Në mesin e pandemisë së koronavirusit, Bullgaria tronditet nga protestat anti-qeveritare. Mijëra vetë dolën në rrugët e kryeqytetit Sofje me thirrjet kundër ekzekutivit konservator të vendit.

Presidenti Rumen Radev kërkoi gjithashtu dorëheqjen e qeverisë për të cilën tha se ka një sjellje “ mafioze. “Karakteri mafioz i qeverisë bullgare ka shkaktuar pakënaqësi tek secili në Bullgari, ndaj të gjithë kërkojnë tani respektimin e ligjeve”, deklaroi ai, duke treguar kështu mbështetje me demonstruesit.

Në Bullgari është themeluar së fundi një “Konsens Anti-Mafia”, kundër korrupsionit dhe frikësimit të njerëzve, shtoi Radev, i cili i dërgoi një paralajmërim të fortë  kryeministrit Boiko Borisov.

Shkaku i këtyre kërkesave për dorëheqje është bërë bastisja dhe kontrollet e zyrave të dy bashkëpunëtorëve të lartë të presidentit, të cilët janë arrestuar përkohësisht. Radev thotë se përgjegjëse për këto bastisje është qeveria e Borisovit.

Ndalimi i dy personave në fjalë u justifikua me hetimet kundër korrupsionit dhe publikimit të sekreteve shtetërore. Por në publik, ai u pa si sulm ndaj presidentit e ngjalli zemëratën e tubuesve që thonë se qeveria po sulmon kreun e shtetit dhe jo oligarkët e vërtetë.

Presidenti Radev është kritik i hapur i Borisovit, i cili deklaroi se nuk ka ndërmend ta lërë postin.

Top Channel