“Keqmenaxhim i koronavirusit”/ Sheshi Rabin mbushet me tubues, shpërthejnë protestat në Izrael!

12/07/2020 10:42

Mijëra izraelitë protestuan në Tel Aviv kundër vështirësive ekonomike të shkaktuara sipas tyre nga keqmenaxhimi i krizës së koronavirusit.

Sheshi Rabin u mbush me tubues, kryesisht të rinj të cilët mbanin maska, por nuk e ruanin distancën sociale. Turma ankohej se kompensimet qeveritare po lëvizin shumë ngadalë. Eventi u organizua nga biznese të vogla, njerëz të vetëpunësuar si dhe grupe artistësh. Shumë prej tyre kanë probleme ekonomike për shkak të pandemisë dhe janë të zemëruar nga masat kundër përhapjes së koronavirusit, të cilat jo vetëm në shtetin hebre, por edhe në pjesë të tjera të botës, kanë pasur efekt te forte mbi ekonominë.

Protestuesit thonë se paratë nga skemat qeveritare të mbështetjes në këtë kohë të vështirë, nuk janë dhënë. Teksa punonjësit me paga të rregullta kanë përfituar ndihma papunësie falë këtyre skemave, të vetëpunësuarit e presin prej muajsh asistencën e premtuar të ekzekutivit.

“Kam 40 punëtorë dhe asnjë të ardhur, asnjë lek. Qeveria duhet të pompojë para derisa t’i kthehemi normalitetit. Nuk punojmë që nga mesi i marsit. E gjithë kjo për në ka për të qenë një katastrofë”, tha Michal Gaist-Casif, drejtues i një kompanie zëri dhe ndriçimi.

Kryeministri Benjamin Netanyahu u takua me herët me aktivistët dhe u zotua përpara tyre se qeveria do t’i mbajë premtimet. Izraeli vendosi karantinën në mesin e marsit dhe nisi t’i zbuste masat në fundin e muajit maj. Papunësia në vend është rritur në masën 21%.

 

 

FOTO GALERI
1/5

Top Channel