Kapen 53 kg lëndë narkotike në Vlorë/ 2 të arrestuar, procedohen kryeplaku i fshatit dhe elektricisti i zonës

12/07/2020 12:54

Një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike është goditur nga policia në Vlorë, çka solli vënien në pranga të dy personave dhe shpalljen në kërkim të një të treti.

Në përmbyllje të operacionit u sekuestruan 53 kg lëndë narkotike kanabis, si dhe një armë zjarri kallashnikov, tri armë gjahu dhe armë të ftohta.

Kështu u arrestuan shtetasit P. S., 37 vjeç, banues në fshatin Drashovicë dhe G. B., 25 vjeç, banues në Tiranë. Gjithastu janë proceduar penalisht shtetasit M. R., 43 vjeç, banues në fshatin Tragjas, me detyrë kryeplak i fshatit Tragjas dhe shtetasi A. R., 37 vjeç, banues në fshatin Tragjas, me detyrë elektricist i zonës në fshatin Tragjas.

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi T. T., 53 vjeç, banues në Tiranë.

Nga kontrolli dhe hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kultivuar fidanë të dyshuar canabis sativa në territorin e banesës së shtetasit G. B., në fshatin Tragjas. Po ashtu, në banesën e shtetasit G. B është gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 53 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit T. T. u gjetën disa fidanë narkotikë të kultivuar në një ambient të banesës, 1 armë zjarri automatike, 3 armë gjahu teke, 2 thika dhe 1 shpatë.

Materialet i kaluan Prokurorisë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel