Kreu i Tesla-s, Elon Musk sapo la pas Warren Buffett-in në Indeksin e Miliarderëve të hartuar nga Bloomberg, duke u kthyer kështu në njeriun e shtatë më të pasur në botë.

Pasuria e Musk-ut u shtua me më shumë se 6 miliardë dollarë të premten, sipas Bloomberg, pasi aksionet e Tesla-s u rritën në masën 10.8% duke kapur rekordin e 1.544 dollarëve për aksion. Vlera e saj e tregut shkoi në  286.5 miliardë dollarë. Musk zotëron 20.8% të aksioneve të Teslas, e kjo e çon pjesën e tij në këtë kompani në vlerën e 60 miliardë dollarëve. Ai është njëkohësisht aksioneri  kryesor i sipërmarrjes private SpaceX.

Pasuria e Buffett-it nga ana tjetër u tkurr këtë javë pasi dhuroi këtë javë 3 miliardë dollarë për bamirësi – pjesë kjo e planit të tij për t`ia dhuruar pjesën më të madhe të pasurisë së vet nismave filantropike. Vlera e aksioneve të Tesla-s është rritur në më shumë se 500% gjatë 12 muajve të fundit. Prodhuesi i makinave elektrike konsiderohet praktikisht si  kompania më me vlerë e automjeteve në botë. Me këto ritme, nuk është çudi që 49-vjeçari Musk të kthehet në njeriun më të pasur të globit, një pozicion ky i mbajtur aktualisht nga kreu i Amazon, Jeff Bezos.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel