Eventi më i rëndësishëm i vitit kushtuar teknologjisë dhe komunikimit mbërrin ne edicionin e tetë.
Albanian ICT Awards zë vend në këtë periudhë të vështirë pandemie, po patjetër qe nuk do të mungojnë të gjitha çmimet tradicionale. Nuk do të mungojnë të ftuarit, të rinjtë me shumë ide, inovatorët nga e gjithë shqiptaria dhe mbi të gjitha te gjithë sponsorat tradicionalë ndër më të rëndësishmit që prej fillimit “Fondacioni Dritan Hoxha”.
Këtij eventi, me një pjesëmarrje fizike dhe virtuale nuk mund t’i mungonin inovatorët.
Kryetari i Jurisë së ICT Awards Altin Petre tha se ICT Awards është këtu për të hedhur dritë mbi punën e palodhur por edhe të padukshme të shumë shqiptarëve në fushën e teknologjisë.
“Shpresoj shumë që kjo ekselencë që shprehin këta njerëz vit pas viti në ICT Awards të frymëzojë dhe shumë të tjerë për të arritur më shumë dhe për të shkuar më lart”, shprehet Altin Petre.
Kreu i bashkisë e vlerësoi ICT-në si një histori suksesi.
“Kur diçka ndodh një herë është risi, kur ndodh dy herë është ndoshta shans ose rastësi, por ndodh tetë herë atëherë është traditë”, tha Erion Veliaj.
Mbremja Gala kurorëzoi fituesit në këto kategori.
ICT Inovacioni i Vitit: Endri Dibra me projektin Digital Human Avatars and AI from Smartphones for AR Body Applications
ICT Startupi i Vitit: Geri Cupi me projektin Monochain
ICT Ylli në Ngritje: Venis Morina me projektin Xcom
ICT Diploma e Vitit: Elkida Bazaj me projektin A dictionary-based approach to Albanian Stemming Algorithm
Gruaja në ICT: Diana Xhumari CEO e Tegeria
ICT Shërbimi Publik i Vitit Shqipëri: DPSHTRR me projektin eDM
ICT Shërbimi Publik i Vitit Kosovë: Vianova Health me projektin Kosova.health
ICT Cyber Security: Tanzer Abazi me projektin Findbug
Në këtë edicion të jashtëzakonshëm ICT Awards bëri thirrje edhe për projekte e zgjidhje inovative në ndihmë të shoqërisë në luftën përballë Covid-19.
Konkursi mbarëkombëtar tashmë është kthyer në një institucion të vlerësimit të gjithë atyre talenteve shqiptarë në sektorin e ICT-së, në promovimin dhe mbështetjen e tyre për të ecur në rrugën e bukur të inovacionit dhe kreativitetit.
“Themelimin e ICT Awards e lidhim me ikonën e Dritan Hoxhës, i cili është edhe ikona e inovacionit shqiptar në transformimin e medias shqiptare. Për ne është shumë e rendesishme që Fondacioni Dritan Hoxha dhe Top Channel po na qëndron pranë. Ishte një përmbyllje e mirë, por me shumë sfida. Megjithatë dua të them që u përmbyll mirë!”-deklaroi Kushtrim Shala.
Top Channel