Gastriti është një sëmundje shumë e përhapur që prek organin kryesor të sistemit tretës. Simptomat e gastritit janë specifike dhe mund të evidentohen shumë thjesht. Disa nga simptomat më të lehta për t’u spikatur janë dhimbjet e stomakut, ndjesia e djegies, një tretje e ngadaltë e fryrje e organizmit.

Shkaktarët kryesor të gastritit
Sipas të dhënave të helikobakteri pilor është dhe shkaktari kryesor i gastritit kronik. Por dhimbjet e stomakut mund të kenë origjinën edhe nga abuzimi me alkoolin, duhanin dhe kafeinën. Por rol kryesor luan dhe ushqimi, nëse hani vetëm ushqime me përmbajtje të lartë yndyrnash, dëmtoni mukozën e stomakut. Yndyrnat e tepërta nxisin prodhimin e tepërt të acidit të vetë stomakut, duke krijuar mundësinë e formimit të plagëve ulçeroze. Gjithashtu konsumimi i disa medikamenteve si aspirina por dhe stresi mund të provokojnë gastritin.

Çfarë i duhet stomakut tuaj
Ndarja e disa vakteve të vogla përgjatë ditës, në orare të përcaktuara. Mund të duket diçka e bezdisshme, por nëse hani nga pak por më shpesh mbani nën kontroll nivelin e acidit tretës që prodhohet në stomak.

Përtypja e vëmendshme dhe e ngadaltë e ushqimit. Një nga hallkat kryesore të ushqyerjes së shëndetshme, është pikërisht bluarja e ushqimit. Ndaj këshillohet që gjatë kohës që hamë, të mos shohim televizor apo të merremi me telefonin.

Ushqimet më të mira dhe më të dëmshme për gastritin
Sipas të dhënave, ato që sugjerohen të shtohen në ushqimin tuaj janë: qumësht dhe kos pjesërisht i skremuar; peshk apo mish pule; djathë pa yndyrë; ushqime të gatuara me avull apo të pjekura lehtë. Ushqimet që duhet të shmangni janë: mishi i kuq; pijet alkoolike; kafe; apo ushqime të shpejta.

Është e rëndësishme të dini se
Ngrënia me tepri shkakton një mbi-prodhim të lëngjeve gastrike që rrisin presionin brenda në stomak. Edhe mos ngrënia e vakteve është e dëmshme, pasi nuk ka ushqime që të përthithin acidin e prodhuar. Gjëja më e keqe është kur zgjedh të shuash urinë me patatina, brioshë, çokollata që shkaktojnë përkeqësim të shëndetit të stomakut. Ushqimet e yndyrshme, alkooli dhe çokollata shkaktojnë dhe refluksin e acidit gastrik. Ndërkohë që ushqimet shumë të ngrohta apo shumë të ftohta krijojnë një çekuilibrim të mukozës së stomakut. /AgroWeb

Top Channel