Ngjarja horror e Kombinatit/ Gazetari Andi Bora jep detaje: Ja çfarë pashë brenda shtëpisë së familjes Josifi

09/07/2020 21:45

Gazetari i Top Channel-it, Andi Bora, ishte ndër të parët që transmetoi nga vendngjarja humbjen tragjike të Zhaneta dhe Anisa Josifit, të cilat zgjodhën që të vetëflijoheshin me mosushqyerje me shpresën që do të ringjalleshin.

I ftuar në emisionin “Open”, gazetari Bora, ndau të gjithë atë që ka përjetuar në momentin që filmoi shtëpinë e familjes Josifit, por edhe momentin e ndërhyrjes së policisë.

“Ky është pikërisht momenti që kam filmuar brenda shtëpisë së grave Josifi (demostron me duar tek ekrani pranë tij), kjo është dhoma e ndenjes, këtu kalojmë nga pjesa e dhomës së ndenjes tek vendi që ata gatuanin. Unë kam hyrë në këtë banesë me familjar, kam biseduar me ta. Shtëpia tregon për një familje normale, jo të varfër. Në këtë moment dilet te pjesa e ballkonit. Detaj interesant këtu janë lulet e thara. Jemi në shtëpi me persona nga Përmeti dhe neglizhenca e kujdesit ndaj luleve tregon shumë. Këto ishin dy ventilatorë që ne i kemi parë. Blerta dhe Zhaneta i kanë mbajtur për të freskuar trupin e Anisës. Ishte vërtetë e vështirë. Unë dilja nga dhoma të merrja frymë dhe të filmoja. Kjo është planimetria e shtëpisë. Kjo është dhoma ku grupi hetimor ka gjetur Anisën e shtrirë. Policia është detyruar të hyjë nga dritarja e tualetit, sepse shtëpia ka qenë e mbyllur dhe dritaret e mbyllura. Në kuzhinë kanë gjetur Zhaneta Josifin e pajetë, e cila ishte duke u lutur. Blerta Josifi është gjetur po aty, ajo u ka thënë zjarrfikësve që në dhomën tjetër kemi motrën e pajetë. Ka qenë le të themi motra e Zhaneta Josifit që ka shkuar në këtë shtëpi. Zhaneta dhe Blerta qëndronin përpara dhomës ku qëndronte Anisa dhe i shtynin njerëzit të shkonin në dhomën e ndenjes. Ne morëm vesh që ishin pjesë e Dëshmitarëve të Jehovait, më pas u fol që kanë qenë pjesë e kishës Ungjillore në Përmet. Familjarët më kanë thënë që ato kanë qenë pjesë dhe kemi pasur dhe Sotirin, kunatin e Zhanetës, i cili ka thënë që kanë ardhur persona që i kanë takuar shpesh”, u shpreh gazetari.

Top Channel