Invalidi i dënuar me detyrim paraqitjeje, Shërbimi i Provës: Do t’i dërgojmë specialist në banesë

09/07/2020 20:51

Fiks Fare në bashkëpunim me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës Korçë, zgjidhin problemin e invalidit me karrocë që duhet të paraqitej atje çdo muaj siç e përcaktonte vendimi i gjykatës.

Drejtori i zyrës kur shikon gjendjen, thotë që për këtë rast do caktohet dikush të shkoj në shtëpi dhe informacion do merret nga bashkia dhe policia e Maliqit.

Invalidi i grupit të parë, dënohet më 16 muaj detyrim paraqitje nga  gjykata. Por fakti që Stiljano Hazizllari është me karrocë, invalid qysh në lindje, ja pengon të shkoj nga Maliqi në Zyrën e shëbimit të Provës në Korçë. I duhen minimumi 15 mijë lekë për taksi, dhe kujdestarja e tij mamaja 80 vjeçe e ka të pamundur ta ngrejë e ta lëvizë. Ajo thotë se edhe kur shkon në banjo, djali tërhiqet zvarrë, unë vetëm sa e ndihmon pak të ngjitet.

Gjykata e dënoi pasi u gjet duke organizuar lojë pokeri dhe sipas tij nuk e dinte që ishte e paligjshme, e organizoi për të nxjerrë ndonjë lekë plus për ilaçe dhe ushqim.

Stiljano Hazizllari, 42 vjeç, invalid i grupit të parë që në lindje jeton nën kujdesin e nënës së tij 80 vjeçe. Ai ankohet në Fiks Fare se nuk përmbush dot dënimin e vendosur nga gjykata për detyrim paraqitje pranë shërbimit të provës çdo muaj pasi është me karrocë.  Ai thotë se është dënuar me 16 muaj detyrim paraqitje për shkak se organizoi një lojë pokeri. Për të cilën siç thotë nuk ishte në dijeni që ishte e paligjshme. “E bëra për të nxjerrë ndonjë lekë më shumë për ilaçë apo ushqime. Më kapi policia edhe në gjykatë vajta katër herë, më kanë ngjitur më krahë nga kati i parë në të katërtin ose në të dytin. Nuk kish kushte të ngjitesha më karrocë. Më në fund u dënova por tani nuk kam mundësi fizike ta shlyej. Duhen minimalisht 15 mijë lekë taksi të shkoj nga Maliqi në Korçë, nëna që kujdeset për mua nuk më çon dot se është 80 vjeçe.

Nga ana tjetër në një intervistë për fiksin nëna thotë se ajo jo vetëm që është plot 80 vjet por është e operuar edhe nga zemra dhe e ka të pamundur ta ndihmojë apo ta ngrejë djalin.

Gazetarët e Fiksit e shoqëruan Stiljanon pranë Shërbimit të Provës për të parë se çfarë duhet të heqë ai për tu paraqitur të paktën një herë ne muaj. Rrugë që duhet ta bëjë nga Maliqi në Korçë. Një djalë e merr në krahë, hipën në taksi dhe shkon tek shërbimi. Zyra e pritjes është në katin e dytë. Drejtori i zyrës Kiço Koço, kur shikon gjendjen në të cilën ishte Stiljano, thotë që për këtë rast do caktohet dikush të shkoj në banesë  dhe informacioni do merret nga bashkia dhe policia e Maliqit. Pasi problemi i tij u zgjidh dhe mori lajmin e mirë Stiljano falenderon shumë fiksin por edhe zyrën e Shërbimit të Provës që pranoi menjëherë të lehtësojë sa më shumë invalidin e grupit të parë.

Top Channel