Mes rritjes së rasteve me Covid-19, veçanërisht në mesin e të rinjve, Shtëpia e Bardhë po i bën presion shkollave në të gjithë Shtetet e Bashkuara që të rihapen.

“Ne do të ushtrojmë trysni mbi guvernatorët dhe të gjithë të tjerët për të hapur shkollat, për t’i hapur ato. Kjo është shumë e rëndësishme,” tha Presidenti Donald Trump të martën në një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë.

“Shëndeti mendor dhe zhvillimi social i fëmijëve duhet të kenë po aq përparësi sa shëndeti fizik”, tha Melania Trump, zonja e parë dhe nëna e një fëmije në moshë shkollore, gjatë një diskutimi të martën në Shtëpinë e Bardhë mbi rihapjen e sigurt të shkollave të Amerikës.

Një e panjohur domethënëse është nëse fëmijët e vegjël, të cilët janë transmetues të efektshëm të virusit të gripit, do ta përhapin koronavirusin tek mësuesit dhe personeli i moshuar i shkollave, dhe nëse më pas do të infektonin anëtarët e familjeve të tyre dhe të afërmit e moshuar.

“Ne nuk e dimë akoma nëse Covid-19 infekton me të vërtetë fëmijët dhe ata më pas mund ta transmetojnë atë apo është shumë e vështirë për këtë virus që të infektojë fëmijët? Këto studime janë ende në proces”, tha për Zërin e Amerikës Dr. William Schaffner, profesor i sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt.

Akademia Amerikane e Pediatrisë “mbështet me forcë të gjitha politikat për vitin e ardhshëm shkollor që mbështesin kthimin fizik të nxënësve në shkollë.”

Grupi i pediatrëve thotë se “rëndësia e procesit mësimor me prani fizike në klasë është e dokumentuar mirë, dhe tashmë ka prova se mbyllja e shkollave në pranverën e vitit 2020 ka patur ndikim negativ tek fëmijët.”

Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve “kurrë nuk ka rekomanduar mbylljen e shkollave”,tha drejtori i saj Robert Redfield në një telekonferencë me gazetarët para diskutimit të sotëm të organizuar nga Presidenti. “Ne nuk kemi ndjerë se ishte me të vërtetë një strategji efektive e shëndetit publik që duhej zbatuar.”

Mesazhet kundërshtuese nga administrata, zyrtarët e shëndetit publik dhe të tjerët me siguri se do të krijojnë tension në javët në vazhdim.

“Unë mendoj se do të shohim një përplasje midis grupeve të prindërve, grupeve të mësuesve, grupeve të administratorëve të shkollave, të gjithë përpiqen të debatojnë mbi atë se si duket siguria dhe mirëqenia nëse rihapen shkollat këtë vjeshtë,” tha për Zërin e Amerikës John Bailey, studius i Institutit American Enterprise.

Grupet e arsimit duan të paktën 200 miliardë dollarë në fonde federale për rihapjen e sigurt në një kohë kur arkat e shtetit janë varfëruar për shkak të recesionit ekonomik të shkaktuar nga pandemia. Vetëm 13.5 miliardë dollarë janë ndarë për këtë qëllim.

DeVos: ‘Shkolla duhet të rihapen’

Sekretarja e Departamentit të Arsimi, Betsy DeVos u tha guvernatorëve gjatë një biside telefonike të martën se ajo kundërshton planet e disa distrikteve të shkollave lokale për të kufizuar mësimet në klasë në vetëm disa ditë në javë.

“Në fund, nuk po diskutohet për çështjen nëse shkollat duhet të hapen, por mbi mënyrën si duhet bërë kjo”, tha DeVos. “Shkollat duhet të rihapen, ato duhet të jenë plotësisht funksionale dhe se si duhet të ndodh kjo është më së miri t’u lihet drejtuesve të arsimit dhe atyre të komunitetit.”

Sekretarja e Departamentit të Arsimit kritikoi veçmas zonën e Fairfaksit në Virxhinia, një nga distriktet më të mëdha shkollore të vendit, që ka vendosur që familjet të zgjedhin mes opsionit me dy ditë në javë në shkollë dhe pjesën tjetër online, dhe atij 100 për qind online.

“Opsioni për të shkuar në klasë dy ditë në javë nuk është fare një zgjedhje”, tha DeVos, duke e quajtur programin mësimor online të këtij distrikti shkollore në fillim të këtij viti një “katastrofë”.

Shkollat Publike të Distriktit të Fairfaksit, në një prononcim për Zërit të Amerikës, pranuan problemet, duke thënë, “Të gjithë ne do të preferonim ta kemi një vit shkollor normal dhe me praninë fizike të nxënësve në klasë këtë vjeshtë. Megjithatë, shëndeti dhe siguria e personelit, nxënësve dhe komuniteti tonë duhet të ketë përparësi ndaj të gjithë faktorëve të tjerë. Ne po ndjekim udhëzimet e zyrtarëve shëndetësorë lokalë, shtetërorë dhe federalë në zhvillimin e planit tonë të kthimit në shkollë”.

Departamenti i Arsimit në Fairfaks po punon shumë për t’u siguruar që të gjithë “nxënësit e tij të marrin udhëzime kuptimplote, si në mënyrë virtuale ashtu dhe fizike, së bashku me mundësinë për t’u angazhuar me nxënësit dhe personelin këtë vjeshtë”, thuhet më tej në deklaratë.

Reagimet ndaj rihapjes së mundshme të shkollave

Shoqata Kombëtare e Arsimit, e cila ka 3 milionë anëtarë, po kritikon ashpër Presidentin Trump dhe Sekretaren e Departamentit të Arsimit, Betsy DeVos.

“Ata kanë zero besueshmëri për mënyrën më të mirë të mbështetjes së nxënësve dhe rihapjen e sigurt të shkollave”, tha Presidentja e Shoqatës Kombëtare të Arsimit, Lily Eskelsen Garcia, mësuese e klasës së gjashtë, në një deklaratë të lëshuar në kohën kur akoma po vazhdonte diskutimi në Shtëpinë e Bardhë. “Vendi duhet të dëgjojë ekspertët e shëndetit dhe arsimtarët mbi atë se kur duhet të rihapen shkollat.”

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom tha se pret që objektet shkollore të rihapen aq sa është e mundur, kur të fillojë viti i ri mësimor, por prania fizike në klasa mbetet e pasigurt në shtetin më të populluar të vendit.

Zyrtarët vendor të arsimit në shtetin e dytë më të madh, Tekasin, ende po përpiqen të kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë kur të fillojë viti i ri shkollor muajin tjetër.

Komisioneri i Departamentit të Arsimit në Florida, Richard Corcoran lëshoi një urdhër urgjent të hënën, duke kërkuar që të gjitha objektet shkollore të hapen muajin tjetër “të paktën pesë ditë në javë për të gjithë nxënësit”.

Florida është shteti i tretë më i madh amerikan për nga numri i banorëve.

Në Nju Jorkut, shteti i katërt më i populluar, Guvernatori Andrew Cuomo vazhdon të theksojë se ai është autoriteti i vetëm që mund të vendos se kur do të rihapen shkollat.

“Ende nuk është marrë asnjë vendim për rihapjen e shkollave”, tha Guvernatori Cuomo të hënën. “Ne duam që fëmijët të kthehen në shkollë për një numër arsyesh, por ne nuk do të themi që fëmijët duhet të kthehen në shkollë derisa ta dimë se kjo është e sigurt.”

Mësimi në Universiteteve

Presidenti Trump, në përfundim të diskutimit të së martës, e quajti “qesharak” vendimin e Universiteti të Harvardit dhe institucioneve të tjera që kanë vendosur që është shumë e rrezikshme të zhvillohet mësimi në kampus gjatë semestrit të ardhshëm.

“Ata duhet të jenë të turpëruar”, tha ai. “Kjo quhet mënyrë e lehtë e shmangies së përgjegjësisë”.

Ndaj këtyre kolegjeve dhe universiteteve, administrata e Presidentit Trump po ushtron trysni në një mënyrë tjetër, duke detyruar kampuset të rihapen dhe studentët të jenë të pranishëm fizikisht në klasë, nëse universitet duan të mbajnë të regjistruar studentët e tyre ndërkombëtarë.

Zyra amerikane e Imigracionit njoftoi të hënën se Departamenti i Shtetit nuk do të lëshojë viza për studentët e regjistruar vetëm në programet online dhe Agjencia e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit nuk do të lejojë hyrjen në vend të kësaj kategorie studentësh./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA