Bashkia e Korçës nuk ka dhënë asnjë leje ndërtimit pas vitit 2017.

Fiks Fare u interesua në Bashkinë e Korçës nëse punimet e reja për ndërtimin e dhomave të hotelit, barit apo pjesëve të tjera të këtij resorti, kishin apo jo leje ndërtimi. Gazetarët e “Fiks Fare” biseduan me drejtoreshën e Urbanistikës, znj, Zhaneta Pepo, e cila tha se leja fillestare për resortin ka dalë nga Këshilli i Qarkut Korçë. “Në momentin që është dhënë leja e ndërtimit, leja e ndërtimit ka dalë nga Këshilli i Qarkut, sepse bashkia në atë kohë, nuk ishte bashki e madhe dhe nuk e përfshinte.

Leja mund të jetë e 2010-ës, ajo ka shumë vite që ka nisur ndërtimi” thotë ajo, duke shtuar se “në momentin që kërkon rifreskimin e lejes, e merr në bashki, sepse këshilli i qarkut nuk ka më KRRT”. Gazetarët e pyesin nëse ka apo jo leje të re, ndërsa znj.Zhaneta thotë se “Jo, nga ne jo!”. Më tej pohon se në sistemin e-leje Arben Rreli ka vetëm një aplikim për deklaratë paraprake për kryerje punimesh.

“Deklaratë punimesh që janë punime që deklarohen me deklaratë dhe jo me leje ndërtimi. Punime të brendshme dhe sistemim territori të jashtme. Shtesa anësore jashtë projektit as që diskutohet” thotë ajo, ndërsa gazetarët i tregojnë edhe ndërtimet e reja që po kryhen aktualisht, ndërsa drejtoresha kërkon në sistem. “Duhet rifreskim leje që duhet të ngarkohet në sistem komplet të skanuar projektin e vjetër, lejen e ndërtimit të vjetër dhe të vazhdohet këtu” thotë ajo, ndërsa gjen edhe dokumentet që ka aplikuar z.Rreli.

“Është deklarata që bën projektuesi. Projekti i punimeve dhe i nënshkruar. Termoizolim çatie dhe zëvendësim tjegullash. Punë shkarkimi. Instalime, riparime suvaje, patinim muresh, suvatim me grafiato. Punime për termoizolim që është suvatimi me grafiato, plus polesterol që është buka e peshkut. I parashikon deklarata paraprake” thotë ajo, ndërsa gazetari e pyet nëse ndërtimi nga fillimi të dy kateve do apo jo leje.

“S’ke asgjëkund punime ndërtimi nga fillimi. Për këtë ndërtime duhet leje e re” përfundon ajo.

Top Channel