Rinisja e kampionatit shqiptar të futbollit pa prezencën e tifozëve dhe nën masa të rrepta sigurie për shkak të pandemisë, nuk i ka kursyer skuadrat shqiptare të elitës nga koronavirusi.
Së fundmi janë zbuluar dy raste pozitive te skuadra e Partizanit, një zhvillim që ka vendosur në pikëpyetje dhe derbin e 10 korrikut në kryeqytet.
Nuk është zbuluar identiteti i personave të infektuar te Demat e Kuq, por simptomat e tyre kanë sjellë shqetësime dhe te anëtarët e tjerë të ekipit që do të testohen këtë javë, me shpresën se nuk do të ketë raste të shtuara. Pjesëtarët e Partizanit me Covid-19 janë izoluar nën rregullat e protokollit mjekësor të përpiluar nga FSHF-ja dhe Ministria e Shëndetësisë, por kjo vendos në dyshim edhe derbin e kryeqytetit me Tiranën.
Ndeshja e programuar mbrëmjen e 10 Korrikut në orën 20:45 mes Demave të Kuq dhe bardhebluve përfaqëson një ndalesë të rëndësishme që do të vendosë shumë për titullin dhe pjesëmarrjen në kupat kontinentale. Tirana kryeson me 6 pikë më shumë se Kukësi, ndërsa Partizani shpreson të shpëtojë sezonin me Europa Ligën, zonë që është vetëm 5 pikë larg.
Top Channel