Spanja dhe Suedia/ Dyshime mbi imunitetin e tufës

07/07/2020 13:07

Një studim në Spanjë hodhi dyshime mbi imunitetin e tufës si mënyrë për trajtimin e pandemisë së koronavirusit.

Studimi i krye mbi më shumë se 60,000 persona dilte në përfundimin se vetëm rreth 5 për qind e popullsisë spanjolle ka zhvilluar antitrupa, shkruan revista mjekësore Lancet. Imuniteti i tufës arrihet atëherë kur një numër I mjaftueshëm njerëzish infektohen me një virus cka ndihmon të frenohet përhapja e tij.

Rreth 70 deri në 90 për qind e një popullate duhet të jetë imune, për të mbrojtur të painfektuarit. Përhapja e antitrupave të sëmundjes ishte nën 3% në rajonet bregdetare, dhe pak më e lartë në zonat e Spanjës me shpërthime më të mëdha, thuhet në raport.

“Me gjithë ndikimin e lartë të COVID-19 në Spanjë, vlerësimet e përhapjes mbeten të ulëta dhe janë të pamjaftueshme për të siguruar imunitetin e tufës”, thanë autorët e studimit.

“Në këtë situatë, distanca fizike dhe përpjekjet për të identifikuar dhe izoluar rastet e reja dhe kontaktet e tyre janë të domosdoshme për kontrollin e ardhshëm të epidemisë”, theksojnë ata.

Në fund të majit, edhe në Suedinë që zgjodhi të mos vendoste karantinën, imuniteti i tufës, nuk shihej gjëkundi.

Vendi mbeti i hapur gjatë sëmundjes, e megjithatë shifrat tregonin se në fundi e prillit në Stokholm, vetëm 7,3% e njerëzve kishin krijuar antitrupa. Imuniteti i tufës arrihet atëherë kur shumica e popullsisë, 70-90% bëhet imune ndaj një sëmundjeje infektive, qoftë sepse ka qenë I infektuar dhe është shëruar, qoftë përmes vaksinimit.

Top Channel