SHBA tërhiqet formalisht nga OBSH, në mesin e pandemisë

07/07/2020 21:52

Administrata e presidentit Donald Trump ka njoftuar sot Kongresin dhe Kombet e Bashkuara se po tërhiqet zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Lajmi u publikua nga senatori demokrat Robert Menendez.

“Kongresi ka marrë njoftimin se presidenti ka tërhequr zyrtarisht SHBA nga OBSH, në mesin e pandemisë së koronavirusit. Kjo i lë amerikanët të sëmurë, kjo i lë amerikanët vetëm”, shkruante ai.

Departamenti i Shtetit gjithashtu konfirmoi se njoftimi i tërheqjes së SHBA me efekt në 6 korrik 2021, është dorëzuar te sekretari i përgjithshëm i OKB, çka aktivizon kohën një-vjetore të daljes.

Ndërsa letra drejt OKB ishte shumë e shkurtër, rreth tre fjali, tha një burim i brendshëm për rrjetin CNN.

Megjithëse administrata e SHBA ka aluduar se OBSH ka mbajtur anën e Kinës gjatë epidemisë së koronavirusit, republikanët kishin nxitur presidentin muajin që shkoi të ndryshonte vendimin duke argumentuar se SHBA mund të bëjë më shumë për të sjellë ndryshimin duke qenë anëtare.

Top Channel