Policia e Lushnjës procedoi penalisht një shtetase, pasi theu karantinën duke dalë nga shtëpia.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe të Komisariateve në varësi të saj kanë vijuar kontrollet e herëpashershme në banesat e të prekurve nga COVID-19, me qëllim kontrollin për respektimin me rigorozitet të vetëkarantinimit, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Mbi bazën e listave të përditësuara që disponon Policia e qarkut Fier, për personat e prekur nga COVID-19 dhe ata që janë kontakte të personave të prekur, janë zhvilluar kontrolle të përditshme tek çdo person, gjatë ditëve të vetëkarantinimit.

Gjatë kontrolleve të ushtruara ditën e djeshme, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë proceduan penalisht shtetasen M. H., 22 vjeçe, banuese në Lushnjë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia nuk u gjend në banesën e saj, por kishte shkuar te prindërit, në fshatin Kashtëbardhë.

Policia mori kontakt me këtë shtetase në banesën e prindërve të saj, në fshatin Kashtëbardhë, ku është bërë edhe evidentimi i personave të tjerë që ndodheshin në këtë banesë, të cilëve u është komunikuar që të mos dalin nga banesa.

Policia e Fierit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë distancimin social, lokalet dhe bizneset të respektojnë protokollet e sigurisë, të prekurit nga COVID-19 të respektojnë detyrimisht vëtëkarantinimin, duke bërë të mundur që të gjithë bashkë të kontribuojmë në parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Top Channel