Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që tronditi kryeqytetin mbrëmjen e dy korrikut, ku në Kombinat u gjetën të vetëflijuara nënë e bijë, Zhaneta dhe Anisa Josifi.
Në po të njëjtën banesë u gjet në gjendje të rëndë edhe vajza tjetër Blerta Josifi e cila ishte e vetmja në familje që kishte mbijetuar.
Por si u arrit të zbulohej ngjarja horror në Kombinat?
Më datë 2 korrik në komisariatin nr.6 më Kombinat ka shkuar, Selman Fejzo i cili është shprehur se prej disa ditësh nuk kishte mundur që të komunikonte me motrën e tij Zhaneta Josifi dhe vajzat e saj, madje sipas tij vajza e vogël, Anisa Josifi kishte më shumë se dy vite që nuk e kishte takuar dhe nuk kishte pasur mundësi kontakti. Pas këtij denoncimi, është ngritur një grup hetimor të cilët kanë shkuar në banesën e Zhaneta Jasifit në Kombinat por askush nuk u është përgjigjur.
Në ndihmë të policisë është njoftuar zjarrfikësja për të bërë të mundur ndërhyrjen në banesë. Kur është hapur dera e banesës, grupi hetimor kanë konstatuar dy viktima përkatësisht, Zhaneta Josifi dhe Anisa Josifi. Ndërsa Blerta Josifi është gjetur në gjendje të rëndë për shkak të mos ushqyerjes.
Burime për Top Channel nga grupi hetimor bëjnë me dije se viktima, Zhaneta Josifi është gjetur e ulur në gjunjë afër divanit të sallonit ndërsa në dhomën e gjumit mbi një krevat ka qenë viktima Anisa josifi e dekompozuar dhe e mbuluar me copa të ndryshme dhe me jorgan.
Ndërkohë në banesë është vënë re prezenca e librave të ndryshëm fetar si dhe shënime të ndryshme të shkëputura nga Bibla në disa fletore.
Ndërkohë në deklaratën e vëllai të Zhaneta Josifit, Selman Fejzo, thuhet se motra e tij prej disa kohësh kishte filluar të praktikonin një besim fetar së bashku me vajzat. Ai deklaron se nuk komunikonte prej dy vitesh me Anisën dhe se motra e tij i thoshte se nuk gjendej në shtëpi.
Ndërkohë nga dëshmia e Blerta Josifit e vetmja e mbijetuar thuhet se e para ka vdekur motra e saj Anisa, prej më shumë se 15 muajve. Ajo tregon se pak kohë më parë kishte filluar të mbante agjërim së bashku me të ëmën. Më tej Blerta Josifi është shprehur se në banesë ka shkuar edhe halla dhe tezja e saj dhe kur kishin pyetur për Anisën u thonin se ajo ishte shtrirë. Më tej në dëshminë e saj Blerta Josifi ka shpjeguar se motra e saj Anisa ka ndërrua jetë më 27 mars ndërsa e ëma Zhanet më 2 korrik.
Blerta ka treguar se përpara se të ndërronte jetë, motra e saj kishte ndenjur 52 ditë pa ngrënë e pa pirë dhe për vdekjen nuk i thanë asnjë personi tjetër. Së bashku me të ëmën me sakrificën e tyre ata besonin se do të kthenin në jetë Anisën. Në muajin mars tregon Blerta, ajo së bashku me të ëmën kishin filluar të mbanin agjërim si sakrificë për të kthyer Anisën në jetë. Sipas saj kanë konsumuar vetëm ujë rreth 30 ditë.
Top Channel